Situata nga zjarret paraqitet kritike mbrëmjen e kësaj të premteje në disa zona të vendit, veçanërisht në Himarë dhe në zonën Fier–Levan, ku flakët e favorizuara nga era e fortë kanë avancuar drejt zonave të banuara. Disa banesa dhe një magazinë janë djegur, ndërsa autoritetet kanë nisur evakuimin e banorëve dhe turistëve në zonat e rrezikuara.
Në Himarë, zjarri po përparon me shpejtësi dhe deri më tani ka përfshirë dhe djegur një banesë, ndërsa rreth 40 shtëpi të tjera rrezikohen nga flakët.
Situata paraqitet e vështirë për forcat zjarrfikëse, të cilat vijojnë punën në terren për shuarjen dhe izolimin e vatrave, me qëllim frenimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Për shkak të avancimit të shpejtë të flakëve dhe erës, situata është rënduar ndjeshëm dhe ka nisur evakuimi i disa banorëve, por edhe i turistëve që ndodhen në hotelet e Himarës. Banorët kanë bërë apel për ndihmë, ndërsa flakët po u afrohen shtëpive. Era dhe terreni i vështirë po favorizojnë përhapjen e zjarrit dhe po e bëjnë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse edhe më të vështirë.
Situatë kritike edhe në Fier, flakët avancojnë drejt Levanit
Një situatë e rëndë paraqitet edhe në Fier, ku zjarri i nisur mesditën e së premtes në fshatin Vadhizë ka marrë përmasa të mëdha brenda pak orësh. Flakët kanë avancuar në drejtim të Levanit dhe, sipas banorëve, janë djegur tre shtëpi dhe një magazinë ku prodhoheshin koshere bletësh, ndërsa zjarri i është afruar edhe një biznesi.
Afrimi i flakëve pranë zonave të banuara ka detyruar autoritetet të nisin evakuimet. Rreth 15 familje janë larguar nga banesat e tyre, ndërsa forcat e policisë vijojnë monitorimin e zonave ku zjarri paraqet rrezik për banorët dhe pronat.
I favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, zjarri është përhapur me shpejtësi në sipërfaqe të mëdha me ullishte, pyje me pisha dhe shkurre, duke rrezikuar edhe banesat. Gjatë pasdites, flakët iu afruan dy lokaleve pranë liqenit, në zonën e Qafës së Koshovicës. Një lokal dhe një shtëpi e pabanuar janë djegur në këtë zonë.
Situata u rëndua më tej kur flakët kaluan rrugën nacionale Fier–Levan. Për shkak të rrezikut dhe tymit të dendur, policia u detyrua të bllokonte përkohësisht qarkullimin në këtë aks. Zjarri ka vijuar të avancojë përmes pyllit të dendur, duke u përhapur me shpejtësi edhe në drejtim të fshatit Peshtan i Vogël.
Në zonë janë krijuar edhe disa vatra të tjera zjarri, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për t’u menaxhuar.
Forca të shumta zjarrfikëse nga Fieri, Mallakastra, Lushnja, Vlora dhe Berati ndodhen në terren, së bashku me policinë dhe strukturat e tjera të emergjencave.






















