Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 16 janë fikur.
Për shuarjen e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes njofton se janë angazhuar 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse.
Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 475 efektivë, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor”. Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku ndërhyrja vijon.
Në Malin e Dajtit, krahas strukturave bashkiake, sot janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe 1 helikopter.
Në Bardhaj të Shkodrës janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse, shërbimi pyjor dhe strukturat e emergjencave civile. Forcat e Armatosura kanë ofruar mbështetje me 1 automjet zjarrfikës dhe 1 helikopter, ndërsa sot operacionit i shtohen 33 forca dhe 1 ambulancë.
Në Fier janë angazhuar 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë, 90 forca të tjera, si dhe 90 ushtarakë, 1 helikopter dhe 1 avion “Air Tractor”. Sot mbështetja vijon me 33 forca.
Operacioni në Himarë është përmbyllur me fikjen e zjarrit, pas një mobilizimi të gjerë me 26 automjete zjarrfikëse, 120 efektivë, 40 vullnetarë, 67 forca bashkiake, 20 forca policore dhe 180 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 2 helikopterë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.






















