Harta tradicionale e botës, e njohur si projeksioni Mercator, krijon një perceptim të gabuar për përmasat reale të shumë shteteve dhe kontinenteve. Imazhi krahasues tregon me ngjyrë blu madhësinë që ato paraqesin në hartën Mercator, ndërsa me të kuqe sipërfaqen e tyre reale.
Shtrembërimi bëhet më i madh sa më pranë poleve të ndodhet një territor. Për këtë arsye, Rusia, Kanadaja dhe Groenlanda duken shumë më të mëdha nga sa janë në të vërtetë, ndërsa Afrika, Amerika e Jugut dhe vendet pranë ekuatorit paraqiten relativisht më të vogla.
Shembulli më domethënës është Groenlanda, e cila në hartat tradicionale duket pothuajse sa Afrika, megjithëse kontinenti afrikan është rreth 14 herë më i madh. Projeksioni Mercator u krijua në vitin 1569 për lundrimin detar, pasi ruan drejtimet, por nuk është i përshtatshëm për krahasimin e sipërfaqeve.
Debati është rikthyer pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mbështeti përdorimin e projeksionit “Equal Earth”, i cili paraqet më saktë përmasat e kontinenteve. Rezoluta nuk e ndalon hartën Mercator, por nxit përdorimin e hartave më të sakta në shkolla, institucione, media dhe platformat digjitale.






















