Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë shkaktuar përplasjen e radhës mes qeverisë dhe gjyqësorit. Njerëzit e drejtësisë, me disa përjashtime të vogla, siç është Gjykata Kushtetuese, ende nuk kanë marrë pagat e muajit gusht, për shkak se Ministria e Financave i ka bllokuar në Thesar, pasi ende nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të zbatuar formulën që i përllogarit pagat referuar te zyrtari më i lartë i administratës shtetërore.
Ndërsa vendimet e KLGJ-së dhe KLP-së për përllogaritjen e pagave nuk njihen nga qeveria. Për të diskutuar lidhur me këtë çështje, kryeprokurori Olsian Çela ka thirrur në një mbledhje urgjente të gjithë drejtuesit e prokurorive në rrethe, ndërsa nga ana tjetër, të gjithë kryetarët e gjykatave do të mblidhen po ashtu në një takim të ndarë.
Nëse do të ketë vendimmarrje në këto mbledhje, mbetet për t’u parë në përfundim të tyre. Ndërkohë, qeveria thotë se vonesat në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese kanë ardhur për shkak se ka boshllëk ligjor sa i përket formulës.
Pavarësisht reagimeve nga të dyja palët, ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare lidhur me këtë çështje.




















