Nesër nis sesioni i ri parlamentar dhe deputetët do të rikthehen në Kuvend, ndërsa protesta që vijon prej 100 ditësh do të zhvendoset përpara Parlamentit.
Për shkak të protestës dhe vlerësimit të riskut, Policia e Tiranës pritet të ndërmarrë masa të forta sigurie, me angazhimin e rreth 1,800 efektivëve në terren.
Sipas burimeve, e gjithë zona përpara Parlamentit do të kufizohet dhe nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve dhe qytetarëve. Në perimetrin e sigurisë pritet gjithashtu të vendosen barriera metalike, ndërsa forca të shumta policie do të pozicionohen rreth godinës së Kuvendit dhe në akset kryesore pranë saj.
Masat e shtuara vijnë edhe për shkak të incidenteve të regjistruara gjatë sesionit të kaluar parlamentar. Në disa prej protestave që u zhvendosën përpara Kuvendit pati përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Protestuesit, ndërkohë, kanë paralajmëruar se me nisjen e sesionit të ri parlamentar pritet edhe përshkallëzim i aksionit të tyre, veçanërisht në ditët kur do të zhvillohen seancat plenare.
Për këtë arsye, rikthimi i deputetëve në Kuvend pritet të shoqërohet me një prani të konsiderueshme policore dhe kufizime të forta sigurie në zonën përreth Parlamentit.




















