Sot u shënua dita e 100-të radhazi që qytetarët mblidhen përpara Kryeministrisë për të protestuar dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, në përfundim të fjalimeve dhe përpara nisjes së marshimit në rrugët kryesore të Tiranës, protestuesit zgjodhën të rrethojnë në mënyrë simbolike godinën e Kryeministrisë.
“Rrethoni Kryeministrinë në mënyrë simbolike”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Arrestoni Ramën” ishin disa prej thirrjeve të protestuesve, të cilët mbanin në duar flamuj kombëtarë.
Pas rrethimit simbolik të godinës së qeverisë, qytetarët vijuan protestën me marshim në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.
“Ju erdhi fundi”, ishte një tjetër thirrje që u dëgjua gjatë protestës.




















