Klodiana Spahiu ka marrë votat e Kuvendit për të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Emërimi i saj u miratua me 79 vota pro gjatë seancës plenare të kësaj të marte. Spahiu do të zëvendësojë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë Evis Salën, e cila u largua nga detyra disa ditë më parë.
Ndërkohë, lëvizja e Spahiut drejt ekzekutivit solli edhe ndryshime në drejtimin e Kuvendit. Në vend të saj në postin e nënkryetares së Kuvendit u propozua deputetja socialiste Evis Kushi.
Propozimi për Kushin u bë nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa deputetja mori votat e nevojshme për të marrë detyrën e re.
Procesi i votimit u zhvillua pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike. Ligjvënësit e opozitës braktisën sallën menjëherë pas nisjes së votimeve, ndërsa mazhoranca vijoi procedurën.
Pas votimit të Klodiana Spahiut si ministre e re e Shëndetësisë dhe zgjedhjes së Evis Kushit në postin e nënkryetares së Kuvendit, seanca plenare u mbyll.





















