
Opozita kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të verifikuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore lidhur me pretendimet për trafik ndërkombëtar të armëve, të bëra publike një ditë më parë nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Kërkesa, e firmosur nga 39 deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë dhe drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, synon të hetojë nëse institucionet përgjegjëse kanë vepruar në përputhje me ligjin për parandalimin, kontrollin dhe zbulimin e veprimtarive të dyshuara, si dhe nëse mund të ketë përgjegjësi politike, administrative apo institucionale.
Shkak i drejtpërdrejtë për nismën janë deklaratat dhe materialet audio të publikuara më 7 shtator nga Ahmetaj gjatë një interviste televizive në Syri TV.
Vetë deputetët nënshkrues sqarojnë në kërkesë se deklaratat dhe materialet e publikuara nga ish-zëvendëskryeministri nuk konsiderohen fakte të provuara, por të dhëna dhe indicie që, sipas tyre, duhet t'i nënshtrohen kontrollit parlamentar.
Çfarë kërkon të hetojë opozita?
Sipas dokumentit, Komisioni do të kishte si objekt verifikimin e pretendimeve përmes dokumenteve, dëshmive, të dhënave zyrtare dhe kontrollit të veprimtarisë së institucioneve shtetërore.
Në fokus kërkohet të vendosen procedurat e importit, eksportit, tranzitit, transportit, magazinimit dhe transferimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, si dhe licencat dhe autorizimet e lëshuara nga institucionet shtetërore.
Opozita kërkon gjithashtu verifikimin e kontrolleve doganore, kufitare, portuale dhe aeroportuale.
Një tjetër pikë është verifikimi nëse ka pasur komunikime, ndërhyrje, urdhra apo orientime nga funksionarë publikë që mund të kenë ndikuar në trajtimin institucional të rasteve të dyshuara. Komisioni kërkohet të shqyrtojë edhe marrëdhëniet mes subjekteve private të përmendura në materialet e publikuara dhe institucioneve shtetërore.
Hetimi parlamentar propozohet të përfshijë periudhën nga 1 janari 2024 deri më 7 shtator 2026, por parashikohet mundësia e shqyrtimit edhe të dokumenteve që u përkasin periudhave më të hershme.
Rama dhe drejtues të lartë kërkohet të dëshmojnë
Në kuadër të hetimit, opozita kërkon që Komisioni të thërrasë për dëshmi një sërë zyrtarësh të lartë shtetërorë.
Mes tyre është kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, drejtuesja e SHISH-it Vlora Hyseni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe drejtori i Përgjithshëm i KAYO-s, Ardi Veliu.
Informacion dhe dokumentacion kërkohet gjithashtu nga strukturat përgjegjëse për industrinë e mbrojtjes, tregtimin e armëve, doganat, autoritetet portuale dhe aeroportuale, si dhe kontrollin kufitar.
Përpara Komisionit kërkohet të dëshmojë edhe vetë Arben Ahmetaj, si personi që publikoi materialet dhe ngriti pretendimet që u bënë shkak për nismën parlamentare.
Kërkohet verifikimi i audiove
Një pjesë e rëndësishme e hetimit të propozuar lidhet me materialet audio të publikuara më 7 shtator.
Opozita kërkon që Komisioni t'i administrojë ato dhe të verifikojë origjinën, kohën dhe rrethanat e regjistrimit, integritetin teknik dhe identitetin e personave që dëgjohen, si dhe të krahasojë përmbajtjen e tyre me dokumentacionin zyrtar.
Deputetët nënshkrues nënvizojnë se Komisioni Hetimor nuk do të ketë si objekt përcaktimin e përgjegjësive penale dhe nuk do të zëvendësojë Prokurorinë apo organet e tjera të drejtësisë. Sipas tyre, objekti duhet të kufizohet te kontrolli parlamentar i veprimtarisë së institucioneve dhe evidentimi i përgjegjësive eventuale politike dhe institucionale.
Akuzat e Ahmetajt që sollën kërkesën
Argumentet mbi të cilat mbështetet kërkesa e 39 deputetëve lidhen me pretendimet e bëra publike nga Arben Ahmetaj gjatë intervistës së një dite më parë.
Ish-zëvendëskryeministri ngriti akuza për ekzistencën e një skeme të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të armëve, duke publikuar edhe disa materiale audio që, sipas tij, lidhen me këtë veprimtari. Në qendër të pretendimeve të tij ishin biznesmeni Ron Yefet, kompania Timak Defense dhe ajo që Ahmetaj e cilësoi si “koncepti KAYO”.
Ahmetaj pretendoi se armë me origjinë nga vende të Afrikës sillen në Shqipëri, paketohen dhe më pas dërgohen drejt vendeve të tjera. Sipas tij, ky qarkullim nuk kryhet në kuadër të marrëveshjeve zyrtare të Shqipërisë me NATO-n apo për furnizimin e Ukrainës, ndaj ai e cilësoi atë si trafik ndërkombëtar armësh.
Një tjetër pjesë e pretendimeve lidhej me financimin e kompanive që operojnë në industrinë e mbrojtjes. Ahmetaj pretendoi se kompani të këtij sektori kanë përfituar fonde publike përmes procedurave pa tender. Ai u ndal konkretisht te Timak Defense, për të cilën ngriti pikëpyetje mbi financimin, paradhëniet e pretenduara nga buxheti i shtetit dhe kapitalin e investuar nga aksionerët privatë.
Ish-zëvendëskryeministri përmendi gjithashtu një rast të sekuestrimit të raketave nga autoritetet italiane, për të cilat pretendoi se vinin nga Greqia dhe mund të kishin lidhje me Shqipërinë.
Kërkesa e 39 deputetëve tashmë i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa pritet të ndjekë procedurat parlamentare për shqyrtimin e ngritjes së Komisionit Hetimor.




















