
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit teknologjik dhe se vendi synon të jetë ndër më të avancuarit në rajon në fushën e inteligjencës artificiale, shërbimeve dixhitale dhe mbrojtjes kibernetike.
Deklaratat u bënë gjatë Forumit të Dytë të Inovacionit, ku Rama foli për ngritjen e një strukture publike “cloud”, kapacitete kombëtare kompjuterike, katalog kombëtar të të dhënave të hapura dhe zgjerimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në administratën publike.
Por në të njëjtën kohë, institucioni që për vite me radhë është paraqitur si simboli i suksesit dixhital të qeverisë, AKSHI, ndodhet në qendër të një prej dosjeve më të rënda të SPAK për tenderat publikë.
Ish-drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është vendosur nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa hetimet e Prokurorisë së Posaçme lidhen me disa procedura tenderuese të dyshuara si të manipuluara. Në fokus të dosjes janë kontrata me vlera të mëdha për mirëmbajtjen e sistemeve dhe serverëve të institucioneve publike.
Në të njëjtën çështje përmenden edhe biznesmenë që kanë përfituar tendera nga AKSHI. Një prej tyre, Ermal Beqiri, ndodhet në Francë, ku është arrestuar dhe pret procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë.
Kështu, ndërsa në podium flitet për Shqipërinë si lidere në mbrojtjen kibernetike, në dosjet e drejtësisë tabloja është më pak festive: ish-drejtues të institucionit nën masa sigurie, tendera nën hetim dhe përfitues kontratash që presin të kthehen nga Franca jo për inovacion, por për t’u përballur me SPAK.
AKSHI, që dikur u paraqit si vitrina e qeverisjes dixhitale, sot është kthyer edhe në shembullin më të qartë të kontrastit mes propagandës së suksesit teknologjik dhe realitetit të hetimeve për abuzime me paratë publike.
Në Shqipërinë ku qytetarëve u janë bërë publike pagat, targat, numrat e telefonit, të dhënat personale dhe thuajse çdo gjë tjetër që shteti duhej ta ruante, ka mbetur sekret vetëm numri i këmbës. E megjithatë, qeveria vijon të flasë për mbrojtje kibernetike si të ishte flamuri i saj më i madh, ndërkohë që dosja e AKSHI-t tregon se problemi nuk paska qenë vetëm kush i hakoi të dhënat, por edhe kush i ka administruar tenderat për t’i mbrojtur ato.




















