
Paolo Zampolli erdhi në Tiranë si i dërguar special i Trumpit për Partneritetet Globale, me fokus te shteti bektashi, por në agjendë gjeti vend edhe takimi me deputetin demokrat Xhelal Mziu.
Pas darkës, Mziu njoftoi se kishte folur për Shqipërinë, krizën politike, institucionet e kapura dhe partneritetin strategjik me SHBA-në. Por mes këtyre temave të mëdha, nuk mungoi edhe kujtesa e tij personale: në vitin 2016, kur Edi Rama e quante Donald Trumpin “rrezik për demokracinë”, Xhelali në Kamëz e shpallte Qytetar Nderi dhe i vendoste emrin e tij një rruge.
Me gjasë, në një moment të darkës, mes bisedave për demokracinë dhe bektashinjtë, Xhelali i ka lënë Zampollit edhe amanetin e vogël diplomatik: kur të takosh Presidentin, kujtoji se këtu ka pasur njerëz që i kanë qëndruar besnikë që në ditët e vështira. Madje jo thjesht me deklarata, por me tabela rruge.
Në fund, tani që Sali Berisha ndodhet në SHBA dhe po kujdeset nga afër për marrëdhënien me amerikanët, dikush duhet ta mbajë gjallë këtë marrëdhënie edhe në Tiranë. Dhe, me sa duket, Xhelali ia ka dalë mrekullisht: e nisi me një rrugë në Kamëz dhe e çoi deri te darka me të dërguarin e Trumpit.




















