
Qeveria ka depozituar zyrtarisht në Kuvend projektligjin e ri që reformon rrënjësisht administrimin e ndërtimeve pa leje të konfiskuara. Nisma e re ligjore synon të shmangë vonesat burokratike, të vërë pasuritë e konfiskuara në shërbim të interesit publik e strehimit social, si dhe të mbrojë qytetarët e dëmtuar nga ndërtuesit papërgjegjshëm.
Përmes këtij projektligji, shteti kalon nga një model i shpërndarë vendimmarrjeje në një sistem të centralizuar, ku rolin kryesor e merr Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
Sipas relacionit shpjegues të projektligjit të analizuar nga VNA, zbatimi i kuadrit të mëparshëm ligjor përballeshe me vonesa të shumta për shkak të "vendimmarrjes së fragmentuar" ndërmjet Komisionit të Objekteve të Konfiskuara dhe institucioneve të tjera. Me ndryshimet e reja, Komisioni shfuqizohet dhe e gjithë përgjegjësia i kalon AAPSK-së.
"Forcimin i rolit të AAPSK-së, si organ unik përgjegjës për administrimin dhe zhvillimin e objekteve, të cilat kanë statusin 'konfiskuar'", si dhe "krijimin e grupit të punës, si strukturë e përhershme teknike".
Një nga shtyllat kryesore të projektligjit është rikthimi i këtyre pasurive në komunitet. Neni 14 i projektligjit rregullon në mënyrë të posaçme kalimin e objekteve të konfiskuara për nevoja sociale.
"...procedurat për destinimin e objekteve të konfiskuara për nevoja të strehimit social dhe interes publik, si dhe mënyrën e kalimit të tyre në pronësi, përdorim ose përgjegjësi administrimi të institucioneve publike dhe njësive të vetëqeverisjes vendore."
*Shteti merr përsipër përfundimin e pallateve të lëna përgjysmë*
Një nga risitë më të rëndësishme lidhet me ndërtimet e papërfunduara ose të braktisura nga zhvilluesit pas konfiskimit. Nenet 12 (që shton nenin 19/1) dhe 15 të projektligjit përcaktojnë një mekanizëm të qartë se si shteti ndërhyn për të përfunduar punimet e mbetura në këto objekte.
Sipas relacionit shpjegues, projektligji rregullon:
"...procedurat për administrimin dhe zhvillimin e objekteve me investim të papërfunduar, mënyrën e vlerësimit të tyre, përcaktimin e kostove të përfundimit të punimeve, përgjegjësitë e subjekteve zhvilluese dhe procedurat për regjistrimin dhe administrimin e këtyre objekteve."
Për të realizuar ndërtimin, përzgjidhen operatorët ekonomikë përmes prokurimit publik nga një autoritet kontraktor i caktuar nga Këshilli i Ministrave, ndërsa financimi sigurohet nga fondi i veçantë i dedikuar:
"Procedurat e prokurimit publik për përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë, si dhe realizimi, mbikëqyrja, përfundimi i punimeve të nevojshme e kolaudimi i tyre, referuar ndërtimeve të papërfunduara, kryhen nga autoriteti kontraktor, i cili caktohet, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave."
*Mbrojtje për blerësit dhe personat e tretë të dëmtuar*
Projektligji adreson gjithashtu situatën e qytetarëve që kanë blerë apo investuar në ndërtime që më pas janë konfiskuar për shkak të shkeljeve të ndërtuesve. Përmes nenit 17, ligji i ri njeh marrëdhëniet juridike të mëparshme dhe garanton të drejtat e tyre.
Relacioni sqaron se ky nen rregullon:
"...të drejtat e personave të tretë, njohjen e marrëdhënieve kontraktuale, procedurat e kompensimit financiar, trajtimin e kontratave të kleringut dhe pjesëmarrjen e tyre në procedurat e shitjes së objekteve të konfiskuara."
Gjithashtu, projektligji përcakton qartë se përgjegjësia financiare dhe ligjore i mbetet subjekteve që kanë kryer shkeljet, duke mbrojtur blerësit e ndershëm:
"Ndryshimet e propozuara adresojnë këtë boshllëk, duke përcaktuar qartë përgjegjësitë ligjore, financiare dhe detyrimet e këtyre subjekteve për përfundimin e punimeve të mbetura."
*Opsion vetëdeklarimi dhe fond i posaçëm*
Për t'i dhënë mundësi zgjidhjeje ndërtimeve pa leje përpara se ato të kalojnë në faza të tjera, neni 23 i projektligjit parashikon një dritare tranzitore vetëdeklarimi prej 6 muajsh:
"...subjektet poseduese, të cilët deklarojnë me vullnetin e tyre objektet e ndërtuara pa leje, pranë organit kompetent (AZHT), brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do t'i njihet e drejta e parablerjes dhe do të kenë mundësi t'i nënshtrohen procedurave përkatëse."
Gjithashtu, për financimin e përfundimit të objekteve të paplotësuara, krijohet një "Fond i veçantë / i dedikuar për ndërtimet pa leje", i cili do të mbulojë shpenzimet e vlerësimit, zhvillimit dhe kompensimeve, pa krijuar efekte shtesë në Buxhetin e Shtetit.
Projektligji pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare përpara se të kalojë për votim në seancë plenare.























