Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në hetimin ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, duke ngritur pikëpyetje mbi masën e sigurisë ndaj saj dhe kërkesën për heqjen e imunitetit parlamentar.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, Bardhi thotë se pozita penale e Ballukut është rënduar sërish, pasi sipas tij, SPAK e ka marrë të pandehur edhe për tri akuza të reja: Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, fshehje ose mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale në rrethana cilësuese.
Këto akuza, sipas Bardhit, i shtohen akuzës së mëparshme për shkeljen e barazisë në tendera, që lidhet me tetë procedura tenderimi.
Postimi plotë
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMEMTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Edhe sa vila të padeklaruara duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut, në mënyrë që SPAK të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit të saj?
Sot, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar përsëri. SPAK e ka marrë të pandehur edhe për 3 akuza të reja:
1. Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.
2. Fshehje ose mosdeklarim të pasurisë.
3. Pastrim të produkteve të veprës penale, në rrethana cilësuese.
Të treja këto i shtohen akuzës së mëparshme:
4. Për shkelje të barazisë në tendera, që përfshin 8 procedura tenderimi.
Siç kisha paralajmëruar shumë muaj më parë, SPAK, më në fund, e gjeti edhe vilën e dytë dhe gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e vilës në Palasë, të cilën Belinda Balluku ia ka marrë Arbër Abazit të Aeroportit të Vlorës dhe, njësoj si vilën nr.1, e ka vënë sërish në emrin e Igli Tares.
Media ka raportuar se janë 300 vila të tilla, në çdo resort të ndërtuar në vend. Do të duhet që të zbulohen të 300-a përpara se SPAK-u të zbatojë ligjin dhe të respektojë standardin e deklaruar dhe të zbatuar dhjetorin e kaluar nga vetë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme? Zoti Braho ka deklaruar në Kuvend se, “kur rëndohet pozita penale e një të pandehuri, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit ndaj tij.”
Bashkë me këtë të sotmen, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar jo 1 herë, por 4 herë, me akuzat më të rënda penale që një zyrtar mund të ketë në lidhje me veprat e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
Atëherë, pse nuk i drejtohet SPAK Kuvendit për heqjen e imunitetit?
Peshorja e drejtësisë nuk duhet të anojë më nga interesi politik i Edi Ramës! Çdo ditë vonesë është përpjekje për të lehtësuar pozitën e Belinda Ballukut dhe për të mbrojtur korrupsionin e saj dhe të Edi Ramës.






















