
Ndërsa SPAK vijon të thellojë hetimet në dosjen që prek ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe biznesmenë të lidhur me çështjen, kompanitë e disa prej emrave që kanë përfunduar nën lupën e hetuesve vijojnë të marrin miliona euro nga institucionet në varësi të kësaj ministrie.
Rasti më i fundit vjen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. ARRSH i ka dhënë kompanisë “2 T” tenderin për mirëmbajtjen me performancë të akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Juglindor. Në lojë janë 1.3 miliardë lekë, ose rreth 14.3 milionë euro, ndërsa ajo që bie menjëherë në sy është mungesa e konkurrencës.

Kontrata shtrihet në katër vite dhe parashikon kryerjen e punimeve për rehabilitimin dhe mirëmbajtjen periodike të rrugëve të rajonit juglindor të vendit. Pra, bëhet fjalë për një kontratë të gjatë, me një fond të konsiderueshëm dhe që prek disa prej akseve kryesore rrugore të vendit.

Por për 1.3 miliardë lekët e vëna në dispozicion nuk pati një garë mes disa kompanive. Çuditërisht në këtë procedurë mori pjesë vetëm “2 T”, ndërsa ARRSH dhe drejtori i saj, Ami Kozeli e kanë shpallur fitues në mungesë të garës.
Por tabloja bëhet edhe më problematike, kur shikon ofertën kompanisë që arrin në rreth 99.95% të fondit limit. Me fjalë të tjera, pothuajse e gjithë shuma që ARRSH kishte parashikuar për kontratën do të shkojë për ofertën e vetme të paraqitur.

Një tender milionësh, një kompani e vetme në garë dhe një ofertë thuajse e barabartë me fondin limit. Janë tre elemente që, të vendosura krah për krah, ngrenë pikëpyetje serioze mbi nivelin real të konkurrencës dhe mënyrën se si janë administruar paratë publike. A ishte kjo thjesht një procedurë ku kompanitë e tjera nuk shfaqën interes, apo kushtet e saj e kufizuan garën dhe kemi të bëjmë me tender si “kostum i qepur me porosi”?
Dyshimet bëhen edhe më të forta për shkak të historikut të kompanisë përfituese dhe hetimeve që e kanë vendosur atë nën vëmendjen e SPAK.
Kompania e ndërtimit “2 T” sh.p.k. dhe bashkëpronari i saj, biznesmeni Artan Sako, kanë përfunduar në fokusin e Prokurorisë së Posaçme në kuadër të hetimeve që lidhen me tenderat e infrastrukturës rrugore dhe dyshimet për transaksione financiare që po verifikohen nga organet e hetimit.
Sako u thirr dhe u mor në pyetje në SPAK më 19 nëntor 2024. Më pas, në fund të janarit 2026, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në ambientet e kompanisë “2 T”, në kuadër të hetimeve që lidhen me kontratat publike.
Në sitën e hetuesve kanë kaluar procedura me vlerë dhjetëra milionë euro në infrastrukturën rrugore, përfshirë kontrata që lidhen me akset e Unazës së Madhe të Tiranës. Paralelisht, sipas të dhënave të bëra publike për hetimin, po verifikohen edhe lëvizje financiare dhe marrëdhënie ekonomike që mund të ndihmojnë SPAK-un të rindërtojë destinacionin e parave dhe lidhjet mes personave të përfshirë.
Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, sipas të dhënave të analizuara, “2 T” sh.p.k. ka përfituar mbi 110 milionë euro nga kontratat publike. Një lumë parash që e ka kthyer kompaninë në një prej përfituesve të rëndësishëm të fondeve të infrastrukturës dhe që tashmë po shihet me lupë nga hetuesit.
Pjesë e kësaj tabloje është edhe dosja e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, i arrestuar nga SPAK në mars 2024 dhe i akuzuar për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Hetimet ndaj tij hapën një dritare mbi mënyrën se si janë menaxhuar disa prej kontratave të mëdha të rrugëve dhe mbi marrëdhëniet mes zyrtarëve të ARRSH-së dhe kompanive private.
Në materialet e hetimit është përfshirë edhe tenderi për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me vlerë rreth 23 milionë euro, ku shfaqet edhe kompania “2 T”. Pikërisht hetimi i këtyre procedurave çoi SPAK-un drejt sekuestrimit të dokumenteve, verifikimit të kontratave dhe marrjes në pyetje të drejtuesve të kompanive.
Por ndërsa dosjet shtohen, kontrollet vijojnë dhe drejtues të rëndësishëm të ARRSH-së kanë kaluar njëri pas tjetrit në dyert e SPAK-ut, në terrenin e tenderave publikë duket sikur pak gjëra ndryshojnë.
Emrat në zyrat drejtuese ndërrohen, skema vijon të jetë e njëjtë, kontrata miliona euroshe që jepen pa konkurrencë, oferta që afrohen deri në kufijtë e fondit limit dhe të njëjtat kompani që shpallen fituese.
Sot ARRSH drejtohet nga Ami Kozeli, një tjetër ish-vartës i Belinda Ballukut. Nën drejtimin e tij, institucioni sapo i ka dhënë rreth 14.3 milionë euro një kompanie që është gjendur nën lupën e SPAK-ut, në një procedurë ku nuk pati asnjë rival dhe ku oferta fituese konsumon pothuajse të gjithë fondin e parashikuar.
Vetë fakti që një kompani apo pronarët e saj hetohen nuk i bën ata automatikisht fajtorë dhe as nuk i përjashton nga e drejta për të marrë pjesë në tendera publikë. Por kur një histori e tillë shoqërohet me një kontratë prej miliona eurosh, me vetëm një ofertues dhe me një çmim në kufijtë e fondit limit, transparenca nuk është më thjesht një detyrim formal. Ajo bëhet domosdoshmëri.
Sepse në fund nuk bëhet fjalë vetëm për një kompani, një drejtor apo një tender. Bëhet fjalë për 1.3 miliardë lekë para publike dhe për një sistem që prej vitesh është shoqëruar nga hetime, arrestime dhe akuza për korrupsion.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja që mbetet ende pa përgjigje: sa duhet të përsëritet e njëjta tablo që SPAK të mos mjaftohet vetëm me hetimin e emrave, por të shkojnë deri në zemër të mekanizmit që prodhon këto kontrata?
Sepse nëse drejtuesit ndërrohen, por tenderat milionësh vijojnë të zhvillohen pa konkurrencë reale dhe paratë përfundojnë sërish te të njëjtët përfitues, atëherë problemi nuk është më vetëm te emrat që hyjnë e dalin nga zyrat. Problemi është te sistemi që vazhdon të funksionojë pas tyre.






















