Sociale 7 September 2026, 16:49 Nga VNA

“Tigrat” e Vlorës që hanë miliona pa prodhuar energji: ERE pezullon licencën deri në sqarimin e lejes mjedisore

Ndaje në Whatsapp

fgbfgbfgb.jpg

Enti Rregullator i Energjisë ka goditur me një vendim projektin e dy TEC-eve lundruese në Vlorë, duke pezulluar zyrtarisht procedurën për licencimin e tyre. Në vendimin e marrë më 3 shtator, ERE ka bërë të ditur se ky pezullim do të mbetet në fuqi derisa Agjencia Kombëtare e Mjedisit të sqarojë përfundimisht nëse këto impiante kanë leje mjedisore të vlefshme për të vijuar operimin.

Ky zhvillim vjen menjëherë pasi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare i kërkoi rregullatorit, më 6 korrik 2026, ri-licencimin e veprimtarisë së prodhimit të energjisë nga “Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Portin e Triportit, duke vënë sërish në pikëpyetje të madhe të ardhmen e dy platformave që prej vitesh rëndojnë mbi financat publike.

I gjithë ky proces ka rindezur reagimet e ashpra të palëve të interesit, ku ambientalistë, avokatë dhe inxhinierë po kundërshtojnë me forcë operimin e këtyre gjeneratorëve termikë për shkak të ndotjes masive që shkaktojnë në Gjirin e Vlorës. Ndonëse në vitin 2022 Agjencia Kombëtare e Mjedisit lëshoi një deklaratë mjedisore me detyra të caktuara për institucionet, pikëpyetjet mbi mbrojtjen e mjedisit mbeten të hapura. Licenca e parë dyvjeçare e dhënë për KESH-in në vitin 2023 po përfundon, por pasojat mjedisore dhe faturat marramendëse financiare vazhdojnë të mbeten një peshë e rëndë për vendin.

Lundrues mbi ujërat e jugut si dy gjigandë hekuri, “Tigri 1” dhe “Tigri 3” me kapacitet të kombinuar prej 110 megavatësh, po tregojnë se nuk janë asgjë më shumë se një pus pa fund ku mbyten miliona euro. Të ankoruar që prej shtatorit të vitit 2022 me premtimin e madh të ish-ministres Belinda Balluku se do të mbulonin 15% të nevojave të konsumit vendas, sot shifrat e vetë KESH-it dëshmojnë dështimin. Që nga nisja e punës në shtator të vitit 2024 e deri më sot, ato kanë prodhuar në total vetëm rreth 110 mijë megavat energji. Një kontribut thuajse i papërfillshëm përballë nevojave ulëritëse të vendit gjatë pikut të verës, ndërkohë që kostoja e prodhimit për një megavat kap shifrën e çmendur prej 170 eurosh.

Për të mbuluar këtë boshllëk dhe për të garantuar furnizimin e popullsisë, KESH-it i është dashur të hyjë sërish me ngut në tregun ndërkombëtar. Vetëm gjatë ditëve të fundit, përmes katër ankandeve, janë shpenzuar 21.4 milionë euro për blerje energjie nga jashtë, ku vlera më e lartë arriti deri në 169 euro për megavat. Kjo e çon faturën totale të importit të energjisë nga KESH në 63 milionë euro, ndërsa dy TEC-et e Vlorës rrinë thuajse pezull në ujë, duke prodhuar minimale energji por duke djegur miliona në mirëmbajtje.

Kostoja ditore për mbajtjen e këtyre dy centraleve kufizohet me absurdin financiar. Qytetarët shqiptarë paguajnë çdo ditë 60 mijë dollarë qira për kompaninë amerikane “Excelerate Energy” dhe 30 mijë dollarë të tjerë për italianët e “Renco”-s për shërbimet e gjenerimit. Kjo do të thotë se çdo 24 orë nga arka e shtetit rrjedhin 90 mijë dollarë. Deri më tani, vetëm për qiranë dhe mirëmbajtjen janë paguar 65 milionë dollarë, ndërsa mbi 15 milionë euro të tjera janë shpenzuar vetëm për blerjen e lëndës djegëse.

Sikur të mos mjaftonin këto shpenzime marramendëse, afera e dy TEC-eve vazhdon të ushqehet me tenderë të dyshimtë pa garë. Së fundmi, KESH shpalli fituesin e një kontrate prej 5.2 milionë eurosh për “depozitimin, ngarkimin dhe shkarkimin e lëndës djegëse”. Por mënyra se si u zhvillua kjo procedurë ngre hije dyshimi, pasi KESH zgjodhi negocimin pa njoftim, duke anashkaluar garën e hapur. Në këtë procedurë me fond limit prej 493 milionë lekësh, mori pjesë vetëm një operator, kompania “LA PETROLIFERA ITALO ALBANESE”, e cila u shpall fituese nga institucioni i drejtuar nga Vjola Haxhiademi me një ofertë prej 99.94% të fondit limit, duke e lënë diferencën me tavanin financiar thuajse zero.

Përdorimi i procedurës me negocim pa njoftim, e cila ligjërisht rezervohet vetëm për urgjenca ekstreme apo rrethana të paparashikueshme, kërkon shpjegim të veçantë nga KESH. Dy TEC-et ndodhen në Vlorë prej katër vitesh dhe nevoja për furnizimin e tyre me karburant nuk kishte si të lindte papritur brenda 20 ditësh. Kjo skemë përsërit të njëjtin model të vitit 2023, ku u shpenzuan 7.2 milionë euro për të njëjtin shërbim, ndërsa sot është në proces tenderimi edhe një tjetër kontratë gjigante prej 20 milionë eurosh për operimin dhe mirëmbajtjen e asetit.

E gjithë kjo histori shpenzimesh luksoze ka përforcuar aludimet se ardhja e dy centraleve lundruese nuk lindi nga ndonjë nevojë emergjente energjetike, por si pjesë e një kompromisi politik mes zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ish-ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim.

Me pezullimin e fundit nga ERE dhe faturat që vazhdojnë të fryhen pa dhënë asnjë dobi publike, pyetja që mbetet pezull mbi gjirin e Vlorës është e thjeshtë. Sa gjatë do të vazhdojnë shqiptarët të paguajnë miliona euro për dy “tigra” sehirxhinj që djegin paratë tona dhe prodhojnë vetëm kosto?

Video

Rusia ka rifilluar sulmet masive me raketa dhe dronë ndaj Kievit, vetëm pak pasi të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump përfunduan vizitën e tyre në kryeqytetin ukrainas, ku po përpiqeshin të ringjallnin negociatat për përfundimin e luftës. Sulmet nisën në orët e para të mëngjesit duke goditur disa zona të kryeqytetit ukrainas. Sipas autoriteteve lokale, të paktën dy persona humbën jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se mbetjet e raketave dhe dronëve shkaktuan zjarre në ndërtesa banimi, përfshirë një pallat pesëkatësh dhe një ndërtesë tjetër trekatëshe.

Protesta e administratës së Gjykatës së Tiranës pas ngërçit me pagat. Në Dhomën Civile janë ndërprerë shërbimet.

Bojkot edhe në Dhomën Penale të Gjykatës se Tiranës për shkak se qeveria iu ka bllokuar pagat duke mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Rusia ka rifilluar sulmet masive me raketa dhe dronë ndaj Kievit, vetëm pak pasi të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump përfunduan vizitën e tyre në kryeqytetin ukrainas, ku po përpiqeshin të ringjallnin negociatat për përfundimin e luftës. Sulmet nisën në orët e para të mëngjesit duke goditur disa zona të kryeqytetit ukrainas. Sipas autoriteteve lokale, të paktën dy persona humbën jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se mbetjet e raketave dhe dronëve shkaktuan zjarre në ndërtesa banimi, përfshirë një pallat pesëkatësh dhe një ndërtesë tjetër trekatëshe.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme