Sociale 7 September 2026, 11:47 Nga VNA

Anija-spital e fundosur në Vlorë kthehet në “qytet” nënujor/ Studimi i ri zbulon fokën e rrallë dhe peshkun grabitqar që po pushton Adriatikun

Ndaje në Whatsapp


Një anije italiane e fundosur në Gjirin e Vlorës gjatë Luftës së Dytë Botërore është shndërruar, 85 vjet më vonë, në një ekosistem të jashtëzakonshëm nënujor. Mbi 80 për qind e sipërfaqes së saj është mbuluar nga organizma detarë, rreth rrënojës janë identifikuar 28 specie peshqish, ndërsa kamerat kanë regjistruar aty si një prej gjitarëve më të rrezikuar të Mesdheut, ashtu edhe një specie invazive që po përhapet drejt veriut të Adriatikut. 

Zbulimet janë pjesë e një studimi të publikuar më 27 korrik në revistën shkencore Frontiers in Ocean Sustainability, ndërsa këtë javë kanë marrë vëmendje ndërkombëtare pasi Live Science dhe BBC Wildlife/Discover Wildlife i kushtuan materiale të posaçme anijes së fundosur në Shqipëri. 

Bëhet fjalë për anijen-spital italiane “Po”, 134.98 metra të gjatë, e cila u fundos më 14 mars 1941 gjatë luftës greko-italiane pasi u godit nga një silur ajror i lëshuar nga një avion britanik Swordfish. Sot rrënoja ndodhet rreth 1.2 kilometra larg bregut të Radhimës, në një thellësi prej 33–37 metrash. 


Për dy vjet, nga qershori 2022 deri në shtator 2024, studiuesit kryen një monitorim të posaçëm të anijes. Ata realizuan zhytje shkencore, filmime me mjete nënujore ROV, modelim tredimensional të rrënojës, analiza të sedimenteve dhe regjistrime të organizmave që jetojnë mbi dhe rreth saj. 

Rezultati është një fotografi e një anijeje që praktikisht ka pushuar së qeni vetëm një relike lufte.

Mbi 80 për qind e sipërfaqes së fortë të rrënojës është kolonizuar nga organizma detarë. Studiuesit identifikuan 54 taksone në sipërfaqen e anijes, mes tyre sfungjerë, molusqe, korale dhe organizma të tjerë, ndërsa rreth saj regjistruan 28 specie peshqish nga 14 familje. U gjetën gjithashtu masa vezësh të cefalopodëve, çka sugjeron se struktura mund të shërbejë edhe si zonë riprodhimi. 

Por surpriza më e bukur erdhi nga një prej kafshëve më të rralla të Mesdheut.

Më 12 gusht 2023, kamerat regjistruan një fokë murgeshë të Mesdheut (Monachus monachus) duke pushuar brenda hapësirave të mbrojtura të strukturës së anijes. Sipas studimit, ishte regjistrimi i parë i konfirmuar i kësaj specieje në Gjirin e Vlorës që prej vitit 1996. Foka murgeshë klasifikohet si specie me rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen dhe autorët ngrenë hipotezën se rrënoja mund të përdoret herë pas here prej saj si vend pushimi, ushqimi apo gjuetie. 

Por “Po” ka tërhequr edhe një banor shumë më problematik.

Studiuesit konfirmuan praninë e Pterois miles, i njohur si peshku-luan ose devil firefish, një grabitqar tropikal joautokton në Adriatik. Gjatë vëzhgimeve janë parë deri në shtatë individë njëkohësisht, duke e bërë rastin një prej regjistrimeve më veriore të kësaj specieje në Adriatik. 

Peshku-luan është vendas në Detin e Kuq dhe në pjesë të Oqeanit Indian, por është përhapur në Mesdhe përmes Kanalit të Suezit. Ngrohja e ujërave po favorizon zgjerimin e specieve termofile drejt veriut dhe studiuesit ngrenë shqetësimin se struktura artificiale si anijet e fundosura mund të funksionojnë si pika ndërmjetëse ku këto specie gjejnë strehë dhe vazhdojnë përhapjen. 

Biologu Simone Modugno, bashkautor i studimit, i tha Live Science se ajo që e shqetëson nuk është aq shfaqja e këtyre organizmave, sa shpejtësia me të cilën po ndodhin ndryshimet. Ai thotë se prej të paktën tre vjetësh ka vërejtur rritje të vazhdueshme të Pterois miles përgjatë bregdetit shqiptar, krahas specieve të tjera invazive. 

Kjo e bën rrënojën e “Po”-s një paradoks ekologjik: e njëjta anije që mund t’i ofrojë strehë një prej gjitarëve më të rrallë të Mesdheut, mund të ndihmojë njëkohësisht edhe në përhapjen e specieve të huaja.

Autorët e studimit janë Simone Modugno, Rachele Castro, Igli Pustina, Genti Kromidha, Zamir Dedej dhe Artur Meçollari, me përfaqësim nga institucione dhe organizata italiane e shqiptare, përfshirë Federatën Shqiptare të Zhytjes dhe Institutin për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA). 

Për studiuesit, anija “Po” nuk është më vetëm një varrezë metalike e Luftës së Dytë Botërore. Ajo është kthyer në një laborator natyror, ku mund të shihet në kohë reale se si ndryshimi klimatik, speciet invazive dhe humbja e habitateve po transformojnë Mesdheun.

Një anije e fundosur nga lufta në vitin 1941, 85 vjet më vonë po tregon një histori krejt tjetër: atë të betejës së re që po zhvillohet nën ujërat e Vlorës.

Video

Një grup qytetarësh janë mbledhur para Kryesisë së Kuvendit, ndërsa pritet të nisë Konferenca e Kryetarëve.

Rusia ka rifilluar sulmet masive me raketa dhe dronë ndaj Kievit, vetëm pak pasi të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump përfunduan vizitën e tyre në kryeqytetin ukrainas, ku po përpiqeshin të ringjallnin negociatat për përfundimin e luftës. Sulmet nisën në orët e para të mëngjesit duke goditur disa zona të kryeqytetit ukrainas. Sipas autoriteteve lokale, të paktën dy persona humbën jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se mbetjet e raketave dhe dronëve shkaktuan zjarre në ndërtesa banimi, përfshirë një pallat pesëkatësh dhe një ndërtesë tjetër trekatëshe.

Protesta e administratës së Gjykatës së Tiranës pas ngërçit me pagat. Në Dhomën Civile janë ndërprerë shërbimet.

Bojkot edhe në Dhomën Penale të Gjykatës se Tiranës për shkak se qeveria iu ka bllokuar pagat duke mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme