
Gjyqtarët kallëzojnë penalisht Ministrin e Financave, Petrit Malaj, sekretarin e Përgjithshëm të MF-së, si dhe drejtuesit e degëve të Thesarit, lidhur me problematikën e krijuar për pagat, pasi Kuvendi nuk zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e detyronte të përllogariste pagesat sipas një formule të re.
Malaj dhe vartësit e tij në degët e Thesarit janë kallëzuar penalisht për “shpërdorim detyre” “pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, “mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”.
“Ky kallëzim paraqitet për shkak të situatës së krijuar nga mosekzekutimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026, situatë e cila nuk prek një magjistrat të vetëm, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh. Organi i prokurorisë duhet të identifikojë personin apo personat që kanë marrë, trasmetuar ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjelle mosekzekutimin e pagave”, thuhet në kallëzimin e njerëzve të drejtësisë drejtuar SPAK.
Në kallëzim thuhet se Malaj ka shkelur ligjin, duke mos zbatuar vendimin e Kushtetuese.
“Ministria e Financave si organ i pushtetit ekzekutiv, as nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në ushtrimin e funksionit normative, as nuk mund të përcaktojë, nëpërmjet procedurave të ekzekutimit buxhetor, formulën konkrete të pagës dhe aq më pak mund të ekzekutojë urdhra që vijnë nga autoritete të nderuara të pushtetit gjyqësor, të cilat nukkanë autoritetin ekskluziv parlamentar për miratimin e ndryshimeve në Buxhetin e Shtetit”, thuhet më tej në kallëzim.
Lidhur me ngërcin e krijuar për pagat, Gjykata e Lartë zhvilloi mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve. Në përfundim të saj pritet të mbahet një qëndrim zyrtar.
























