
Për të dytën ditë radhazi, administrata e Gjykatës së Tiranës vijon bojkotin për shkak të ngërçit me pagat e muajit gusht. Punonjësit dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile dhe Penale kanë pezulluar shërbimet, ndërsa zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë, për të mos penalizuar personat e arrestuar.
Bojkoti ndërkohë është zgjeruar edhe jashtë kryeqytetit. Pas Tiranës, protestës për pagat i janë bashkuar administratat e gjykatave në Vlorë, Fier dhe Lushnjë, ndërsa një ditë më parë bojkotit iu bashkua edhe administrata e Gjykatës së Apelit.
Deri tani, SPAK është i vetmi institucion që nuk ka reaguar lidhur me situatën e krijuar.
Ngërçi me pagat ka vënë në lëvizje drejtuesit e institucioneve të drejtësisë. Kryetarët e gjykatave zhvilluan një mbledhje në Gjykatën e Lartë, ku u vendos që më 10 shtator të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme e Përgjithshme e Gjyqtarëve. Edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, mblodhi drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të KLP-së dhe Shoqatën e Prokurorëve, duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë nga Kuvendi në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Situata u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve. Pas përfundimit të afatit, KLGJ dhe KLP përcaktuan pagën e re referuese në 222 mijë e 425 lekë, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me formulën e re, duke argumentuar se përcaktimi i saj është kompetencë e Kuvendit. Për pasojë, pa pagat e muajit gusht kanë mbetur gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.






















