Kronika 8 September 2026, 19:21 Nga VNA

Kadastra kujtohet për Palasën pas skandaleve: kontroll “derë më derë” aty ku shteti ka humbur çelësat e pronësisë

Ndaje në Whatsapp
Kadastra kujtohet për Palasën pas skandaleve: kontroll

 

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka njoftuar nisjen e një procedure të re për trajtimin e banesave pa dokumentacion pronësie, duke e nisur pikërisht nga Palasa. Sipas njoftimit, ekipe të posaçme do të qëndrojnë për një javë në terren dhe do të trokasin “derë më derë” në çdo banesë, pavarësisht nëse qytetarët kanë aplikuar më parë apo jo pranë institucionit.

Në letër, nisma tingëllon si një përpjekje për të zgjidhur hallin e qytetarëve. Specialistët do të bëjnë matje, do të verifikojnë dokumentacionin dhe, për rastet që plotësojnë kriteret ligjore, vendimi do t’i dërgohet qytetarit përmes e-Albania. Kadastra premton gjithashtu publikimin e statusit të banesave të trajtuara: cilat pajisen me vendim, cilat kanë mangësi dokumentesh dhe cilat nuk janë aksesuar nga ekipet.

Por pyetja që ngrihet është e thjeshtë: pse tani? Dhe pse Palasa?

Sepse Palasa nuk është një fshat dosjesh të harruara në sirtar. Është një nga zonat më të nxehta të bregdetit, ku prona ka vlerë miliona euro, ku lejet e ndërtimit, investimet strategjike, mbivendosjet dhe konfliktet pronësore janë kthyer prej kohësh në një plagë publike. Në këtë kontekst, dalja e Kadastrës “derë më derë” nuk duket thjesht si shërbim ndaj qytetarit, por edhe si një përpjekje për të pastruar me fushatë atë që institucionet e kanë lënë të kalbet për vite.

Problemi nuk është se Kadastra po shkon në terren. Problemi është se në një shtet normal, Kadastra nuk duhet të kujtohej për qytetarët vetëm pasi zona bëhet objekt konflikti, skandalesh dhe interesi të madh ndërtimor. Dokumentacioni i pronësisë nuk është luks administrativ. Është themeli mbi të cilin duhet të qëndrojë siguria juridike, investimi, banesa dhe e drejta e qytetarit.

Edhe më problematike është mënyra si prezantohet procesi. Thuhet se ekipet do të verifikojnë, do të matin dhe do të saktësojnë dokumentacionin. Por nuk sqarohet mjaftueshëm çfarë ndodh me rastet ku ka mbivendosje, pretendime të dyfishta, vendime të mëparshme, AMTP të konfliktuara apo interesa ndërtimi mbi të njëjtën pasuri. Në Palasë, çështja nuk është vetëm mungesa e letrave. Shpesh problemi është te letrat që ekzistojnë, por përplasen me njëra-tjetrën.

Nëse ky proces do të jetë realisht transparent, Kadastra duhet të publikojë jo vetëm statusin e banesave, por edhe bazën ligjore mbi të cilën do të vendosë për secilin rast. Duhet të bëjë të qartë se si do të trajtohen konfliktet mes banorëve, investitorëve, lejeve të zhvillimit dhe pretendimeve të trashëguara. Përndryshe, rreziku është që “derë më derë” të kthehet në një tjetër operacion fasade, ku qytetarit i kërkohet prania në banesë, ndërsa vendimet e rëndësishme merren diku tjetër.

Banorët e Palasës nuk kanë nevojë për thirrje që të bashkëpunojnë. Ata janë hallexhinjtë e kësaj historie, njerëzit që prej vitesh presin zgjidhje, siguri mbi pronën dhe fundin e një pasigurie që ua ka rënduar jetën. Bashkëpunimin duhet ta tregojë shteti: duke nxjerrë dosjet nga kaosi, duke sqaruar përgjegjësitë dhe duke mos e përdorur terrenin si dekor për të mbuluar dështimin institucional.

Palasa sot nuk ka nevojë vetëm për ekipe të lëvizshme. Ka nevojë për përgjegjësi institucionale, transparencë të plotë dhe hetim të mënyrës se si është prodhuar kaosi pronësor në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar.

Sepse kur Kadastra zbret në terren pasi prona është bërë burim konfliktesh, nuk mjafton të masë muret e banesave; duhet të hapë edhe dosjet ku është prodhuar kaosi.

Video

Vullkani Anak Krakatau, në Ngushticën Sunda të Indonezisë, vijon të jetë aktiv pas një shpërthimi të fuqishëm që çoi një kolonë hiri deri në rreth 15 kilometra lartësi dhe shkaktoi kaos në trafikun ajror në pjesën perëndimore të vendit. Shpërthimet e fuqishme të ditëve të fundit detyruan autoritetet të mbyllnin përkohësisht tetë aeroporte, përfshirë aeroportin kryesor ndërkombëtar të Xhakartës, Soekarno-Hatta. Mijëra fluturime u anuluan ose u vonuan, ndërsa qindra mijëra pasagjerë u prekën nga situata. Hiri vullkanik përbën rrezik serioz për avionët, pasi mund të dëmtojë motorët dhe sistemet e tyre.

Një grup efektivësh të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) është përballur me reagimin e protestuesve teksa po kalonte pranë zonës së Ushtarit të Panjohur. Në pamjet e siguruara shihet momenti kur disa prej protestuesve hedhin vezë në drejtim të efektivëve të FNSH-së, ndërsa këta të fundit tërhiqen dhe kthehen pas.

Pamje nga protesta që u mbajt sot para Kuvendit në nisje të sesionit të ri parlametar. VideoCredit: LSA

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme