Zegjineja me flokë dhe pamje të re, Elisa më e hollë se kurrë dhe Marjana që ulet në vendet pranë PD-së. Kjo ishte panorama e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, teksa nisi legjislatura e re.
Brenda sallës, Gaz Bardhi dhe Taulant Balla bënë adetin e zakonshëm parlamentar: u kapën në debat për një gjë pa vlerë, sa për t’i dhënë legjislaturës së re aromën e vjetër të Kuvendit shqiptar. Në fund të fundit, edhe kur ndryshojnë fytyrat, zakoni i debatit bosh mbetet dekor institucional.
Jashtë Kuvendit, qytetarët ishin mbledhur sërish në protestë. Më të paktë në numër se herën e fundit, por mjaftueshëm për të prodhuar tension, përplasje me policinë dhe disa shoqërime. Policia nuk kurseu disa prej tyre, ndërsa protesta u përpoq të mbante gjallë idenë e revoltës para Parlamentit.
Por këtë herë kishte një ndryshim që nuk kaloi pa u vënë re. Deputetët e PD-së hynë dhe dolën nga Parlamenti pa shumë zhurmë, krejt të pashqetësuar nga vezët dhe thirrjet. Vezët iu rezervuan disa makinave të deputetëve socialistë, ndërsa opozita parlamentare kaloi përmes protestës sikur të ishte jashtë objektivit të saj.
Dhe këtu nis pyetja më interesante e ditës: çfarë ndodhi me protestën që dikur dinte të thoshte “Rama në burg, Berisha në burg”? Sepse kur një protestë nuk e thotë më këtë fjali, do të thotë se njëri prej të dyve, me shumë gjasë Berisha, është amnistuar.
Jo nga drejtësia, sigurisht. Nga protesta. Nga zemërimi publik i organizuar në rrugë. Nga ajo pjesë e revoltës që deri dje pretendonte se i kishte të dy në shënjestër dhe sot duket se ka vendosur të shohë vetëm nga njëra anë.
Kjo e bën edhe më të qartë pamjen e sotme: ose deputetët e PD-së janë amnistuar nga protesta, ose protesta tashmë është në duart e opozitës. Në të dyja rastet, rezultati është i njëjtë. PD hyri e doli nga Kuvendi pa u trazuar, ndërsa zemërimi u drejtua me kujdes nga makinat e socialistëve.
Legjislatura e re nisi kështu me pamje të reja, trupa të holluar, ulëse të ripozicionuara dhe një protestë që kishte humbur gjysmën e parullës. Dhe kur protesta humb gjysmën e parullës, zakonisht nuk është se i ka humbur zëri, por busulla.





















