
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj Partisë Demokratike Evropiane (EDP), pasi kjo e fundit publikoi një poster duke e pyetur se cili ishte problemi i tij me "kundërshtimin".
Përmes një postimi në rrjetet sociale, duke i cilësuar "demokratë dembelë", Rama dënoi ashpër bllokimin e deputetëve në seancën hapëse të Parlamentit, ndërsa theksoi se dhuna e ushtruar ndaj tyre, me vezë e gurë, nuk mund të quhet "kundërshtim".
"Pra, për llojin tuaj të veçantë të demokratëve dembelë, pengimi i deputetëve që të hyjnë në seancën hapëse të Parlamentit quhet “kundërshtim”?", pyeti Rama.
Më tej, ai i kërkoi EDP-së të shohin videon e deputetes Iris Luarasi, e cila u fyua dhe u keqtrajtua teksa përpiqej të futej në Kuvend.
"Meqë ra fjala, shikoni se si një deputete e nderuar, një akademike e respektuar dhe një mbrojtëse gjerësisht e njohur e të drejtave të grave, fyhet dhe keqtrajtohet nga modelet tuaja të “kundërshtimit”, teksa thjesht përpiqet të arrijë në vendin e saj të punës", theksoi Kryeministri.
Për më tepër, ai shtoi se kjo "nuk ishte as më e keqja nga ato që kolegëve tuaj shqiptarë iu desh të përballonin dje".
Në përfundim, Rama bëri thirrje që EDP "të lërë Shqipërinë të qetë" dhe të mos e përfshijë në "këtë histori", duke e konsideruar Shqipërinë një vend realisht të lirë dhe demokratik.






















