
Aktivistja Arvina Lleshi është liruar këtë të mërkurë, disa orë pasi u arrestua gjatë mesnatës nga policia. Ndalimi i saj erdhi pas një denoncimi të bërë nga deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi.
Ngjarja lidhet me episodin e regjistruar teksa Luarasi po hynte në ambientet e Kuvendit përmes një qendre tregtare. Aktivistja e kishte ndjekur deputeten gjatë lëvizjes së saj, ndërsa e kishte akuzuar dhe etiketuar si “hajdute”.
Pas denoncimit të deputetes socialiste, Lleshi u arrestua nga policia gjatë mesnatës.
Ndalimi i saj solli reagimin e një grupi aktivistësh, të cilët u mblodhën përpara komisariatit dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të saj.
Protestuesit e cilësuan arrestimin si të padrejtë, ndërsa akuzuan policinë se kishte vepruar në shërbim të qeverisë. Ata qëndruan përpara komisariatit duke bërë thirrje për lirimin e aktivistes.
Pas disa orësh në komisariat, Arvina Lleshi është lënë e lirë gjatë ditës së sotme.






















