Sociale 9 September 2026, 13:03 Nga VNA

Tenderi 9.8 mln euro i RTSH/ Rekomandimet e KLSH-së “në kosh”, oferta 1.2 mln euro më e lirë jashtë! Po ekspertiza për “falsifikimin” ku është?

Ndaje në Whatsapp

ChatGPT Image Sep 9, 2026, 01_01_44 PM.png

Tenderi 9.8 milionë euro i Radio Televizionit Shqiptar për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit DVB-T2 ngre një tjetër pikëpyetje që shkon në zemër të gjithë procedurës, mbi çfarë provash u skualifikua oferta rreth 1.2 milion euro më e lirë dhe si u arrit në përfundimin se një prej dokumenteve të paraqitura nga operatorët ishte i falsifikuar?

Në procedurën katërvjeçare, me fond limit 906.9 milionë lekë, morën pjesë tre bashkime operatorësh. Dy prej tyre u skualifikuan dhe në garë mbeti vetëm bashkimi “IDEA-TEL” dhe “REAL COM”, i cili u shpall fitues me një ofertë sa 99.1% e fondit limit. Ndërkohë, bashkimi “R&T” dhe “TBS 96” kishte paraqitur një ofertë rreth 1.2 milion euro më të ulët.

111.png

Procedura dhe përplasja me operatorët ekonomikë vjen në një moment kur Radio Televizioni Shqiptar drejtohet nga Eni Vasili. Pikërisht nën drejtimin e saj, RTSH ka vijuar me vendimmarrjen për tenderin milionësh, ndërsa institucioni tashmë përballet me ankimet e operatorëve të skualifikuar dhe me pikëpyetjet mbi mënyrën se si është administruar gara.

Mënyra se si u eliminua kjo ofertë, kriteret e përdorura nga RTSH dhe historia e kontratave të mirëmbajtjes së këtij rrjeti krijojnë disa pikëpyetje që kërkojnë përgjigje.

Dokumenti u quajt “i falsifikuar”, por ku është ekspertiza?

RTSH kishte kërkuar që operatorët të paraqisnin autorizime të lidhura me prodhuesit e pajisjeve teknologjike. Bashkimi i operatorëve “R&T” dhe “TBS 96” paraqiti dokumentacionin përkatës, mes të cilit një autorizim të lëshuar nga distributori kinez “Xiamen General Electronic Measurement”.

Por RTSH e konsideroi këtë dokument të falsifikuar. Pikërisht këtu nis një nga pikëpyetjet kryesore të procedurës, “R&T” dhe “TBS 96” pretendojnë se nuk rezulton e paraqitur një ekspertizë teknike apo dokumentare që të provojë se dokumenti është falsifikuar.

Një dokument i falsifikuar nënkupton se ai nuk është autentik, se nuk është lëshuar nga subjekti që pretendohet ose se në përmbajtjen e tij është ndërhyrë. Për një konstatim të tillë, RTSH duhet të sqarojë se cili është verifikimi konkret mbi të cilin ka mbështetur përfundimin e saj dhe ku është prova që demonstron falsifikimin.

Kjo merr edhe më shumë rëndësi për faktin se, sipas dokumentacionit të paraqitur nga operatorët e skualifikuar, vetë kompania kineze që kishte lëshuar autorizimin konfirmoi më pas se dokumenti i muajit prill ishte autentik dhe legjitim. Sipas këtij qëndrimi, revokimi i mëvonshëm lidhej me çështjen e juridiksionit territorial dhe jo me faktin se dokumenti nuk ishte lëshuar prej saj.

Pra kemi dy çështje të ndryshme. Vlefshmërinë territoriale të një autorizimi dhe autenticitetin e tij. Një dokument mund të jetë autentik dhe njëkohësisht të diskutohet nëse prodhon ose jo efekte në një territor të caktuar. Kjo është e ndryshme nga pretendimi se dokumenti është i falsifikuar.

Ka edhe një element tjetër. Sipas materialeve të administruara, për verifikimin e dokumentacionit RTSH nuk iu drejtua selisë qendrore të “Rohde & Schwarz” në Mynih, por degës së kompanisë në Vjenë, e cila deklaroi se të drejtat përkatëse i kishte një tjetër operator.

Ndërkohë, operatorët e skualifikuar “R&T” dhe “TBS 96”, kishin paraqitur edhe një autorizim tjetër nga kompania gjermane “PLISCH”, për të cilin ngrihet pretendimi se nuk iu nënshtrua të njëjtit proces verifikimi.

Kështu, problemi nuk qëndron vetëm te ekzistenca ose jo e një autorizimi, por te mënyra se si janë administruar provat që çuan në eliminimin e një konkurrenti nga një tender me vlerë afro 10 milionë euro.

Pasoja financiare është konkrete. Oferta e “R&T” dhe “TBS 96” ishte rreth 1.2 milion euro më e ulët se konkurrenti që më pas u shpall fitues të tenderit. Pas skualifikimeve, në garë mbeti vetëm një ofertues dhe kontrata shkoi me një ofertë që arrinte 99.1% të fondit limit.

33333.png

Kjo kronologji ngre pyetjen, a ishin kriteret dhe pretendimi për dokumentin e falsifikuar arsye të provuara mjaftueshëm për skualifikimin, apo efekti i tyre ishte largimi nga gara i ofertës më ekonomike dhe përfundimi i tenderit me një operator të vetëm?

KLSH kishte paralajmëruar RTSH-në për të njëjtin kriter: Eliminon konkurrencën

Pikëpyetjet bëhen edhe më të forta kur kthehemi te një procedurë e mëparshme për mirëmbajtjen e të njëjtit rrjet DVB-T2.

Në tenderin e vitit 2020, me vlerë 7.33 milionë euro pa TVSH, Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte analizuar pikërisht kërkesën që operatorët të dispononin autorizim nga prodhuesi i pajisjeve.

Përfundimi i audituesve ishte i qartë. Sipas KLSH-së, vendosja e autorizimit të prodhuesit në specifikimet teknike dhe në kërkesat për kualifikim orientonte operatorët ekonomikë drejtpërdrejt drejt një prodhuesi të caktuar.

KLSH konstatonte se një kërkesë e tillë ulte ndjeshëm konkurrencën dhe favorizonte vetëm operatorët që dispononin autorizimet e prodhuesve të përcaktuar në dokumentet e tenderit.

Në raport përdoret një formulim edhe më i drejtpërdrejtë: “procedura e tenderimit e ka përcaktuar fituesin, duke eliminuar konkurrencën”.

Efekti i gjetjes u klasifikua nga KLSH si “shtrembërim i konkurrencës”, ndërsa rëndësia si “e lartë”. Rekomandimi për RTSH-në ishte që në procedurat e ardhshme të shmangte specifikime dhe parametra që orientonin ofertuesit drejt markave apo distributorëve të caktuar dhe kufizonin pjesëmarrjen në garë.

Konstatimi i KLSH-së për tenderin e mëparshëm nuk provon automatikisht një shkelje në procedurën aktuale. Por ai tregon se shqetësimi për kriteret e lidhura me autorizimet e prodhuesve nuk është një pretendim i ngritur sot vetëm nga kompanitë e skualifikuara.

RTSH ishte paralajmëruar më parë nga institucioni suprem i auditimit se pikërisht një kriter i kësaj natyre mund të orientonte garën, të kufizonte konkurrencën dhe të favorizonte operatorët që zotëronin autorizimet e kërkuara.

ok.PNG

Kontrata milionëshe, por vetëm 20 mijë euro pjesë këmbimi, si janë faturuar shërbimet?

Një tjetër pikëpyetje lidhet me anën financiare të mirëmbajtjes së rrjetit DVB-T2 dhe me mënyrën se si janë justifikuar ndër vite kontratat milionëshe për këtë shërbim.

Sipas të dhënave të paraqitura në materialet e administruara për këtë çështje, operatori “IDEA-TEL” “RSrezulton të ketë sjellë në Shqipëri gjatë periudhës 2023-2025 vetëm rreth 20 mijë euro pjesë këmbimi nga prodhuesi global “Rohde & Schwarz”.

Kjo shifër krijon një kontrast të fortë me përmasat financiare të kontratave për mirëmbajtjen e rrjetit dhe ngre pyetjen se si është ndërtuar kostoja e shërbimit dhe çfarë është faturuar konkretisht.

Vetëm vlera e pjesëve të këmbimit nuk mjafton për të përcaktuar koston reale të mirëmbajtjes. Kontrata mund të përfshijë edhe shërbime teknike, personel të specializuar, licenca, përditësime, ndërhyrje në terren dhe detyrime të tjera.

Por pikërisht për këtë arsye kërkohet transparencë. Sa është paguar për pjesë këmbimi? Sa për licenca? Sa për ndërhyrje teknike? Sa për personel dhe shërbime të tjera? Dhe mbi të gjitha, çfarë dokumentacioni provon se këto shërbime janë kryer dhe se vlera e faturuar përputhet me atë që RTSH ka marrë realisht?

Sipas materialeve të administruara për këtë çështje, kontratat e mëparshme të mirëmbajtjes kanë arritur pranë vlerave maksimale të parashikuara, ndërsa ngrihet pretendimi se operatorë me oferta më të ulëta janë skualifikuar në procedura të ndryshme.

Nëse këto të dhëna konfirmohen nga dokumentacioni financiar dhe procedurat përkatëse, atëherë kontrolli nuk mund të kufizohet vetëm te mënyra se si është shpallur fituesi. Duhet të verifikohet edhe mënyra se si janë ekzekutuar kontratat dhe janë faturuar miliona euro të fondeve publike.

Pikërisht këtu lind një tjetër pyetje, a janë audituar në mënyrë të detajuar këto faturime dhe a është verifikuar raporti mes shumave të paguara dhe shërbimeve të kryera realisht?

Për një kontratë shumëvjeçare dhe milionëshe, transparenca nuk duhet të përfundojë me një faturë. Duhet të jetë e mundur të përcaktohet se çfarë shërbimi qëndron pas saj, çfarë pajisjesh janë zëvendësuar, çfarë ndërhyrjesh janë kryer dhe sa kanë kushtuar realisht.

Kjo merr rëndësi edhe më të madhe sot, kur RTSH po tenton të angazhojë një tjetër fond prej 9.8 milionë eurosh për 48 muaj mirëmbajtje të të njëjtit rrjet.

Tre pikëpyetje mbi të njëjtin tender

Në këtë mënyrë, mbi procedurën aktuale krijohen tri çështje që lidhen me njëra-tjetrën.

E para është skualifikimi. Një ofertë rreth 1.2 milion euro më e lirë largohet nga gara, ndër të tjera mbi pretendimin se një dokument ishte i falsifikuar, ndërkohë që operatorët kundërshtojnë se nuk është paraqitur një ekspertizë që provon falsifikimin dhe vetë lëshuesi ka konfirmuar autenticitetin e dokumentit.

E dyta lidhet me vetë kriterin që solli këtë përplasje. Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte paralajmëruar më herët RTSH-në se autorizimet e prodhuesve mund të orientonin tenderin, të kufizonin konkurrencën dhe, sipas formulimit të audituesve, të përcaktonin fituesin duke eliminuar konkurrencën.

Në fund mbetet rezultati i procedurës aktuale, nga tre bashkime operatorësh, dy u skualifikuan; oferta rreth 1.2 milion euro më e lirë doli nga gara dhe fituesi i vetëm i mbetur mori tenderin me një ofertë që arrinte 99.1% të fondit limit.

Ankesa e operatorëve të skualifikuar është tashmë në shqyrtim pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Vendimi i KPP-së pritet të tregojë nëse arsyet e përdorura për skualifikimin qëndrojnë përballë dokumenteve dhe pretendimeve të paraqitura nga palët.

Sepse pyetja kryesore mbi tenderin 9.8 milionë euro kërkojnë ende përgjigje. U përdorën kriteret dhe pretendimi për falsifikim për të garantuar ligjshmërinë e procedurës, apo efekti i tyre ishte eliminimi i ofertës më të leverdishme ekonomikisht dhe lënia e një operatori të vetëm në garë, me një ofertë pothuajse sa i gjithë fondi limit?

Video

Bojkoti i administratës gjyqësore për rrogat e padekretuara të gushtit është zgjeruar nga Tirana në Vlorë, Fier dhe Lushnjë, duke pezulluar shërbimet me përjashtim të masave të sigurisë. Drejtuesit e institucioneve të drejtësisë kanë thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të gjyqtarëve për t'i kërkuar ndërhyrje Kuvendit. Edhe Prokurori i Përgjithshëm mblodhi drejtuesit e prokurorive dhe përfaqësuesit e KLP për të kërkuar zgjidhje të shpejt nga Kuvendi. Ndërsa të vetmit që nuk kanë reaguar për situatën e krijuar janë përfaqësuesit e SPAK..

Aktivizëm apo përndjekje? Përplasja mes protestuesve dhe deputetes Iris Luarasi.

Vijon bojkoti i administratës së Gjykatës së Tiranës, Dhoma Civile, për shkak të problematikës me pagat. Edhe sot, qytetarët nuk do të marrin shërbime.

Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mëngjesin e sotëm në karburantin “EiDA”, në zonën e Brrylit në Tiranë, duke shkaktuar plagosjen e tre punonjësve dhe dëme të mëdha materiale. Dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një bombol gazi në ambientet ku furnizohen automjetet. Si pasojë e forcës së shpërthimit është shembur një godinë njëkatëshe e karburantit. Policia ka bllokuar unazën dhe banorët nuk lejohen të hyjnë në banesa. Po ashtu as punonjësit e institucioneve përreth

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme