
SPAK rrëzon pretendimet e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj se nuk është lejuar të takojë avokatët e huaj, që po përgatisin cështjen për në Strasburg.
SPAK sqaron se ndonëse këta shtetas nuk janë legjitimuar në procedimin penal si avokatë mbrojtës, pasi ligji shqiptar nuk lejon një gjë të tillë, avokatët e huaj janë lejuar ta takojnë të pandehurin Veliaj në dy raste.
“Për sa i përket kërkesës për takim me të pandehurin më datë 10 shtator, duhet sqaruar se prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kanë dhënë miratimin paraprak. Për shkak të pamundësisë organizative të Drejtorisë së Burgjeve për ta realizuar takimin në atë datë, nga ana e prokurorëve është kërkuar që të propozohet një datë tjetër. Pra, pretendimi se Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë leje për takimin, nuk qëndron”, thuhet në reagimin e SPAK. Erion Veliaj është i pandehur për 13 akuza penale për të cilat po gjykohet nga GJKKO. Ai ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit të 2025.






















