Pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe drejtuesve të 16 degëve të Thesarit, ministri ka reaguar publikisht lidhur me çështjen e pagesave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në deklaratën e tij, Malaj thotë se Ministria e Financave ka refuzuar të kryejë pagesa shtesë për pagat e magjistratëve pa një vendim të Parlamentit. Sipas tij, çështja do të adresohet më 17 shtator, kur pritet të miratohet ligji që, siç shprehet ai, i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative për të vepruar.
Ministri e cilëson kallëzimin si përshkallëzim të konfliktit mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit, ndërsa thekson se institucioni që ai drejton ka vepruar në përputhje me ligjin.
Në reagim, Malaj ka publikuar edhe disa nga shifrat e pagave aktuale dhe atyre që, sipas tij, kërkohen nga magjistratët. Për gjyqtarët e Shkallës së Parë, paga aktuale sipas ministrit është 376,381 lekë, ndërsa kërkohet të shkojë në 567,421 lekë. Për gjyqtarët e Shkallës së Dytë, paga aktuale është 388,927 lekë dhe kërkohet 586,335 lekë. Ndërsa për gjyqtarët e Grupit të III në GJKKO, paga aktuale është 659,920 lekë dhe kërkohet të shkojë në 994,877 lekë.
Sipas Malajt, efekti total në buxhetin e shtetit nga këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë në vit. Ai shton se magjistratët kërkojnë edhe rishikim të pagave për periudhën 2023-2026, me një efekt të pretenduar prej 125 milionë eurosh në buxhet.
Në fund të reagimit, ministri u është drejtuar drejtuesve të Thesarit dhe sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave, duke u kërkuar të vijojnë detyrën “me qetësi dhe pa u intimiduar”, si dhe të ruajnë financat e shtetit në zbatim të ligjit.






















