
Momente tensioni në Kuvend, Agron Shehaj merr kopjen e vetme të marrëveshjes për huanë ushtarake 302 milionë dollarë nga SHBA
Një situatë e pazakontë u regjistrua këtë të hënë në ambientet e Kuvendit, gjatë nisjes së shqyrtimit të marrëveshjes së huasë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financimin e jashtëm ushtarak në vlerën 302 milionë dollarë.
Në përfundim të seancës plenare, deputetët nuk u pajisën me kopje individuale të marrëveshjes. Në vend të kësaj, administrata e Kuvendit u kërkoi 140 deputetëve që ta konsultonin dokumentin në një sallë me kapacitet vetëm për rreth 15 persona. Situata shkaktoi reagime, ndërsa kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, mori kopjen e vetme të dokumentit dhe u largua me vrap nga ambientet e Kuvendit.
Gjatë prezantimit të marrëveshjes, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi atë si një marrëveshje historike dhe dëshmi të besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Sipas tij, fondet do të përdoren ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, për pajisje dhe shërbime sipas standardeve të NATO-s.
Balla bëri të ditur se Shqipëria do të ketë 48 muaj kohë për të aktivizuar fondet dhe deri në 12 vjet për shlyerjen e huasë. Marrëveshja parashikon gjithashtu një periudhë "grace" deri në një vit, si edhe mundësinë e shlyerjes së parakohshme pa penalitete. Sipas tij, çdo përdorim i fondeve do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes, duke garantuar transparencë të plotë.
Nga ana tjetër, opozita kundërshtoi procedurën e ndjekur. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se deputetët nuk janë vënë në dijeni të përmbajtjes së marrëveshjes dhe e cilësoi procedurën në kundërshtim me Kushtetutën. Megjithatë, ai u shpreh se investime të tilla në mbrojtje janë të mirëpritura, duke e konsideruar reagimin e qeverisë të vonuar.
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita nuk mund të votojë procedura që i konsideron antikushtetuese.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi se çdo deputet duhet të informohet mbi përmbajtjen e marrëveshjes dhe ta lexojë atë të plotë, pasi të firmosë një deklaratë konfidencialiteti.
Pavarësisht debateve, Kuvendi miratoi me 75 vota pro futjen e marrëveshjes në procedurë të përshpejtuar. Gjatë votimit pati kundërshtime nga deputetët e opozitës, të cilët u afruan pranë foltores së Kuvendit.
Marrëveshja do të shqyrtohet fillimisht në një mbledhje të përbashkët të Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Komisionit për Ekonominë, përpara se t'i kalojë seancës plenare për miratim përfundimtar. Seanca e votimit është parashikuar të zhvillohet në orën 15:00.






















