
Në fundjavë, Edi Rama gjeti fajtorin e ri për pakënaqësinë e qytetarëve: administratën. Por përpara se kjo akuzë të pranohet si diagnozë e problemit, ia vlen të ndalemi te një statistikë që tregon një histori krejt tjetër.
Në rreth 13 vite qeverisje, nga shtatori 2013 deri në vitin 2026, në kabinetet e Edi Ramës kanë kaluar më shumë se 50 persona të ndryshëm si ministra ose zëvendëskryeministra. Por nëse llogariten të gjitha emërimet dhe lëvizjet, ku i njëjti person ka mbajtur disa portofole përgjatë mandateve, numri i ministrave që Rama ka emëruar kalon shifrën 100.
Qeveria Rama 1 (2013–2017) nisi me 19 ministra dhe një zëvendëskryeministër. Gjatë mandatit, për shkak të ndryshimeve dhe krijimit të qeverisë teknike para zgjedhjeve të vitit 2017, numri i anëtarëve të kabinetit arriti në rreth 36. Gaz Bardhi është një prej këtyre mbi 100 ministrave të Ramës.
Në Qeverinë Rama 2 (2017–2021), numri fillestar i ministrive u reduktua në 11 ministra dhe 2 ministra shteti. Por dy riformatime të mëdha të kabinetit, mes tyre edhe ai i dhjetorit 2018 pas protestave të studentëve, sollën një tjetër valë emrash të rinj.
Qeveria Rama 3 (2021–2025) u prezantua me 16 ministra. Deri në përfundim të mandatit, në shtator 2025, kryeministri kishte kryer zyrtarisht 42 ndërhyrje dhe lëvizje në kabinet.
Edhe Qeveria Rama 4 nuk bëri përjashtim. Pas zgjedhjeve të majit 2025 u formua një kabinet me 17 anëtarë, përfshirë ministren e parë virtuale të AI. Vetëm disa muaj më vonë, në shkurt 2026, u lëvizën 7 poste ministrore dhe në qeveri hynë edhe 4 emra të rinj.
Po të ishte fjala për një forcë politike që kishte prodhuar mbi 100 politikanë të nivelit të ministrit, kjo do të ishte një rezervë njerëzore që do të trembte çdo kundërshtar. Po të bëhej fjalë për 100 teknikë të nivelit më të lartë, do të ishte një kapital që do ta kishin zili edhe partitë simotra të Partisë Socialiste.
Por realiteti ka qenë krejt tjetër.
Pjesa dërrmuese e këtyre emrave kanë hyrë në ministri me një nivel ekspertize shumë më të ulët se ai i nëpunësve që i prisnin në zyrë. Në shumë raste, administratës nuk i është dashur të zbatojë urdhrat e ministrit, por ta trajnojë ministrin. Për shumë prej tyre, posti i parë drejtues në administratën publike ka qenë pikërisht ministër.
Ka pasur raste kur administratës i është dashur t’u mësojë jo vetëm procedurat, por edhe gjëra që shkojnë përtej një përshkrimi pune të një ministri. Dhe shpesh nuk ia ka dalë. Si kanë hyrë, ashtu kanë dalë.
Prandaj, kur sot Rama ia faturon administratës përgjegjësinë për pakënaqësinë e qytetarëve, pyetja lind vetvetiu: nëse administrata është kaq e paaftë, kush i ka trajnuar ministrat që kanë kaluar nëpër duart e saj për 13 vjet?
Madje, nëse akuzat e kryeministrit janë të vërteta, atëherë ato hapin një problem shumë më të madh se debati i brendshëm politik. Cilësia e administratës publike është një nga kriteret që Shqipëria duhet të përmbushë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Raportet që i dorëzohen Brukselit për këtë kapitull flasin për një realitet tjetër nga ai që përshkroi Rama në fundjavë.
Pikërisht për këtë arsye, fjalimi i tij nuk tingëlloi si analiza e një drejtuesi që kërkon zgjidhje. Ai ngjau më shumë si pranimi i lodhur i një njeriu që, pas 13 vitesh në pushtet, po debaton me pasqyrën e sistemit që ndërtoi vetë.






















