Editorial 14 July 2026, 13:21 Nga JJ

Si po “gatuhet” lirimi i Erion Veliajt: Fati i kryebashkiakut në duart e Ilir Pandës, a është gjyqtari në konflikt interesi?

Ndaje në Whatsapp
Si po “gatuhet” lirimi i Erion Veliajt: Fati i kryebashkiakut

Ndërsa SPAK akuzon Erion Veliajn për 13 vepra penale, mes tyre korrupsion dhe pastrim parash, në Gjykatën e Lartë po zhvillohen lëvizje procedurale që mund të hapin rrugën për lirimin e tij nga paraburgimi. Bëhet fjalë për ndryshimin e trupës gjykuese që ka shqyrtuar deri tani kërkesat e kryebashkiakut të Tiranës, si edhe për përfshirjen në këtë trupë të një gjyqtari që më parë është tërhequr nga shqyrtimi i një çështjeje të bashkëshortes së Veliajt, duke deklaruar konflikt interesi. Nëse këto zhvillime konfirmohen, ato ngrenë pikëpyetje serioze për respektimin e rregullave procedurale dhe paanshmërinë e procesit.

Për ta thënë më thjesht, Kodi i Procedurës Penale parashikon që kërkesat penale të të njëjtit person të shqyrtohen nga i njëjti kolegj penal. Deri më sot, të gjitha kërkesat e Erion Veliajt janë shqyrtuar nga kolegji i përbërë nga kryesuesja Albana Boksi dhe anëtarët Sokol Binaj e Genti Shala.

Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e detyroi Gjykatën e Lartë ta rishqyrtojë çështjen dhe të arsyetojë pse masa e “arrestit në burg” është e vetmja masë e përshtatshme për Erion Veliajn në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës, përbërja e kolegjit është ndryshuar. Albana Boksi dhe Sokol Binaj nuk do të jenë më pjesë e trupës gjykuese dhe janë zëvendësuar nga gjyqtarët Ilir Panda dhe Sander Simoni. I vetmi anëtar që mbetet i pandryshuar është Genti Shala.

Por ndryshimi i kolegjit nuk është i vetmi problem.

Njëri prej anëtarëve të rinj të trupës, gjyqtari Ilir Panda, ndodhet në një situatë të qartë konflikti interesi. Më herët, kur duhej të shqyrtonte një kërkesë të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt, ai dha dorëheqjen, duke argumentuar se kishte njohje familjare me të. Dorëheqja e tij u pranua dhe çështja iu kalua një tjetër trupe gjykuese.

Tashmë, kur Ilir Panda është pjesë e trupës që do të shqyrtojë masën e sigurisë për Erion Veliajn, pra për bashkëshortin e Ajola Xoxës, ai ende nuk ka dhënë dorëheqjen, pavarësisht se vetë ka pranuar më herët ekzistencën e një konflikti interesi.

Në këto kushte, SPAK duhet të dorëzojë kërkesën për përjashtimin e Ilir Pandës nga trupi gjykues, për shkak të konfliktit të interesit që ai vetë ka pranuar më parë.

Mënyra se si po zhvillohet ky proces e bën edhe më të rëndësishëm monitorimin e tij. Nëse zhvillimet do të vijojnë me këtë ritëm, është shumë e mundshme që, mes vapës përvëluese të gushtit, Gjykata e Lartë të marrë vendimin që do të përcaktojë fatin e kryebashkiakut të Tiranës. Pikërisht për këtë arsye, sot më shumë se kurrë, sytë e medias dhe të opinionit publik duhet të jenë të drejtuar te Gjykata e Lartë.

Video

148 nënshkrime kundër tij, Abdixhiku pezullon negociatat me VV-në për formimin e institucioneve Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dorëzimit të 148 nënshkrimeve të delegatëve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe kërkesës për shkarkimin e tij. Ai ka autorizuar sekretarin e përgjithshëm të nisë menjëherë procedurat për organizimin e Kuvendit, ndërsa ka bërë të ditur se do të ndërpresë angazhimet në negociatat për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke argumentuar se mandati i tij për të përfaqësuar partinë është vënë në pikëpyetje. Lajmi në komentin e parë

Dita e 46 e protestës, nis marshimi në rrugët e Tiranës

13.7 milionë euro vetëm për bar, pemë dhe shkurre! Tenderin e autostradës Tiranë-Durrës e fiton “Fusha” Lexoje lajmin në linkun në koment⬇️

Nxehet situata në PD por kësaj here jo nga vapa

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme