Prodhuesi gjerman Mercedes-Benz synon të shkurtojë pothuajse përgjysmë kohën e zhvillimit të modeleve të reja, duke përdorur inteligjencën artificiale. Sipas Jorg Burzerit, drejtuesit të zhvillimit në kompani, objektivi është që procesi nga projektimi fillestar deri në gatishmërinë për prodhim në seri të reduktohet nga 56 në 29 muaj. Për të arritur këtë synim, kompania po prezanton sistemin PLM.AI, i cili lidh proceset e zhvillimit, prokurimit, prodhimit, shitjes dhe shërbimeve pas shitjes, duke u mundësuar punonjësve të gjejnë më shpejt informacionin e nevojshëm dhe të marrin vendime më efikase.
Një nga shembujt më domethënës të përfitimeve të teknologjisë së re është simulimi i përplasjeve. Një proces që më parë kërkonte dy deri në tri javë punë nga inxhinierët, me ndihmën e inteligjencës artificiale mund të përfundojë brenda vetëm dy orësh. Në disa procese inxhinierike, Mercedes-Benz pret që efikasiteti të rritet deri në 50 për qind. “Është thelbësore që gjithmonë të përshpejtohet procesi që zgjat më së shumti dhe që përcakton kohën e përgjithshme të zhvillimit”, theksoi Burzer.
Kompania synon që përmes kësaj teknologjie të ruajë konkurrueshmërinë ndaj prodhuesve kinezë, të cilët po zhvillojnë dhe prezantojnë modele të reja me ritme gjithnjë e më të shpejta. Për këtë qëllim, Mercedes-Benz po investon rreth 500 milionë euro dhe pret që shpenzimi të shlyhet brenda tre deri në katër vjetësh. Rezultatet e para të rëndësishme pritet të shfaqen te modelet që do të prezantohen në fund të vitit 2027 dhe gjatë vitit 2028, përfshirë një version më të vogël të G-Class dhe një E-Class plotësisht elektrike.
Megjithatë, përhapja e inteligjencës artificiale mund të sjellë ndryshime edhe në strukturën e punësimit. Teknologjia pritet të marrë përsipër disa detyra, veçanërisht në programim, ndërsa kompania synon që njohuritë dhe përvoja e punonjësve të përdoren edhe në pozicione të tjera. Për Mercedes-Benz, objektivi është i qartë, të shkurtojë kohën e zhvillimit, të ulë kostot dhe të përshpejtojë inovacionin, pa cenuar standardet e cilësisë dhe sigurisë që karakterizojnë markën.






















