Një vaksinë e personalizuar kundër kancerit, e kombinuar me ilaçin e imunoterapisë Keytruda, ka ulur me 42% rrezikun e rikthimit të melanomës ose të vdekjes, sipas rezultateve të një prove klinike të fazës së tretë, ku morën pjesë më shumë se 1.000 pacientë. Gjetjet përbëjnë një zhvillim premtues në trajtimin e personalizuar të kancerit, megjithëse ekspertët theksojnë se nevojiten të dhëna afatgjata për të vlerësuar ndikimin e plotë në mbijetesën e pacientëve.
Studimi tregoi gjithashtu se kombinimi i vaksinës me Keytruda-n uli me 38% rrezikun e përhapjes së melanomës gjatë një periudhe dyvjeçare, krahasuar me përdorimin vetëm të ilaçit të imunoterapisë. Në provën ndërkombëtare morën pjesë pacientë me melanomë me rrezik të lartë, një formë agresive e kancerit të lëkurës. Një grup mori vaksinën e personalizuar së bashku me Keytruda-n, ndërsa grupi tjetër mori ilaçin dhe një placebo për rreth një vit. Studimi u zhvillua në mënyrë të dyfishtë të verbër, që do të thotë se as pacientët dhe as studiuesit nuk e dinin se kush po merrte vaksinën dhe kush placebon.
Vaksina është projektuar për të nxitur sistemin imunitar të pacientit të identifikojë dhe të sulmojë qelizat kancerogjene që mund të mbeten në organizëm pas heqjes kirurgjikale të tumorit. Ndryshe nga trajtimet standarde, kjo qasje synon të përshtatet me karakteristikat individuale të tumorit të secilit pacient.
Profesoresha Pippa Corrie, onkologe mjekësore konsulente, e cilësoi këtë teknologji si një qasje premtuese në luftën kundër kancerit. Sipas saj, vaksina synon të aktivizojë sistemin imunitar për të njohur dhe shkatërruar qelizat tumorale të mbetura pas operacionit, duke hapur rrugën për trajtime më të personalizuara.
Një prej pjesëmarrësve në studim, 75-vjeçari Tony Chapman, nga North Northamptonshire në Angli, i përshkroi rezultatet si “revolucionare”. Ai u diagnostikua me melanomë në stadin e tretë në vitin 2019 dhe iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një tumori nga kraharori. Katër vjet më vonë, pas zbulimit të një mase nën sqetull, ai iu nënshtrua një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e nyjeve limfatike.
Pas përfundimit të trajtimit në Institutin e Kërkimeve Klinike të NIHR-së në Kembrixh, Chapman vazhdon të jetë pa shenja të kancerit. Megjithatë, nuk dihet nëse ai ishte pjesë e grupit që mori vaksinën e personalizuar apo të atij që mori placebon.
Kompanitë farmaceutike MSD dhe Moderna, të përfshira në zhvillimin e kësaj qasjeje, po e testojnë teknologjinë edhe kundër formave të tjera të kancerit, përfshirë atë të veshkave, fshikëzës urinare dhe mushkërive.
Ekspertët e pavarur e kanë mirëpritur rezultatet, por nënvizojnë se nevojiten studime më të gjata për të përcaktuar nëse përfitimet vazhdojnë me kalimin e kohës dhe nëse trajtimi rrit mbijetesën e përgjithshme të pacientëve. Për momentin, rezultatet përbëjnë një hap inkurajues drejt mjekësisë së personalizuar, por vaksina nuk duhet konsideruar si një kurë e garantuar për kancerin.






















