
Prej vitesh, qeveria shqiptare përpiqet të disiplinojë përdorimin e plastikës, duke shpallur ndalime, kufizime dhe rregulla për qeset e ambalazhet. Por tani, në përpjekjen e radhës për të shpëtuar mjedisin, ka vendosur të disiplinojë edhe qytetarët: do të paguajnë për shishen apo kanaçen kur blejnë një pije, do ta ruajnë bosh dhe do ta kthejnë për të marrë paratë mbrapsht. Ndërsa për kafenë apo ushqimin me vete, mund të marrin nga shtëpia gotat dhe enët e tyre.
Këto janë disa prej risive të projektvendimit të Ministrisë së Mjedisit, të siguruar dhe analizuar nga VNA, që synon të rregullojë përdorimin, grumbullimin dhe riciklimin e ambalazheve në Shqipëri.
Paguaj shishen, ruaje bosh dhe ktheje për të marrë paratë!
Një nga risitë është sistemi i depozitë-rimbursimit për shishet plastike dhe kanaçet metalike të pijeve. Qytetari do të paguajë një shumë shtesë në momentin e blerjes, të cilën mund ta marrë mbrapsht vetëm pasi të kthejë ambalazhin bosh.
Në nenin 7 të projektvendimit thuhet shprehimisht:
“Për ambalazhet e pijeve njëpërdorimshe ngrihet Sistemi i Depozitë-Rimbursimit, ku konsumatori paguan një tarifë depozite në blerje e cila i rimbursohet atij plotësisht pas kthimit të ambalazhit bosh në pikat e autorizuara të shitjes.”
Pra, pasi të ketë konsumuar pijen, qytetari do të ketë edhe një detyrë tjetër: të kujdeset për ambalazhin bosh, ta transportojë dhe ta dorëzojë në një pikë të autorizuar, nëse dëshiron të rikuperojë paratë e depozitës.
Neni 60 parashikon që deri më 1 janar 2031 të ngrihen sisteme grumbullimi që synojnë rikuperimin e të paktën 90% të shisheve plastike dhe ambalazheve metalike njëpërdorimëshe të pijeve, me kapacitet deri në tre litra.
Projektvendimi nuk përcakton ende sa do të jetë vlera e depozitës që qytetarët do të paguajnë për çdo ambalazh.
Kafenë me vete, por gotën merre nga shtëpia!
Iniciativa tjetër prek drejtpërdrejt kafenetë, restorantet dhe bizneset që shesin ushqime e pije për konsum jashtë lokalit.
Nga 12 shkurti 2029, këto biznese do të detyrohen të pranojnë enët e ripërdorshme që klientët sjellin vetë.
Neni 38 i projektvendimit përcakton:
“Nga data 12 shkurt 2029, shpërndarësi përfundimtar që ushtron veprimtarinë e tij në sektorin e shërbimeve të hotelerisë, restoranteve dhe kafeneve (HoReCa), dhe që ofrojnë në tregun shqiptar pije të nxehta ose të ftohta, si dhe ushqime të gatshme për konsum të menjëhershëm nëpërmjet shërbimit për marrje me vete, detyrohen të mundësojnë dhe të pranojnë rimbushjen e enëve të ripërdorshme të siguruara nga vetë konsumatori.”
Me pak fjalë, qytetarët mund të shkojnë në kafene me gotën personale apo në restorant me enën e tyre për të marrë ushqimin me vete.
Madje, drafti parashikon që klienti që përdor enën personale të mos paguajë më shumë sesa ai që merr ambalazhin e lokalit. Bizneset mund të ofrojnë edhe ulje çmimi ose bonuse, por kjo nuk është e detyrueshme.
Në këtë mënyrë, qeveria po krijon edhe një model të ri të konsumit të përditshëm: krahas portofolit, telefonit dhe çelësave, qytetari mund të marrë me vete edhe gotën e kafesë apo tasin e drekës.
Megjithatë, përdorimi i enëve personale nuk është detyrim për qytetarët. Bizneset mund të refuzojnë enët që nuk plotësojnë kushtet higjienike.
Nga ndalimi i qeseve plastike te kthimi i kanaçeve bosh
Ironia është se kjo nuk është përpjekja e parë e qeverisë për të vënë rregull në përdorimin e plastikës. Që prej 1 qershorit 2022, Shqipëria ka në fuqi ndalimin e kategorive të caktuara të qeseve plastike njëpërdorimëshe, me gjoba për bizneset që shkelin ligjin.
Katër vite më vonë, qeveria rikthehet me një tjetër paketë rregullash, këtë herë duke përfshirë edhe shishet, kanaçet, gotat e kafesë dhe enët e ushqimit.
Relacioni shpjegues i siguruar nga VNA pranon se sistemi aktual i menaxhimit të mbetjeve ka probleme strukturore, mes të cilave varësinë e lartë nga ambalazhet njëpërdorimëshe, infrastrukturën e kufizuar të ripërdorimit dhe nivelin e ulët të grumbullimit të diferencuar.
Por ndërsa këto probleme mbeten për t'u zgjidhur, nisma e re sjell një realitet ku qytetari duhet të ndryshojë edhe zakonet më të zakonshme të konsumit.
Në vend që shishja bosh të përfundojë në kosh, duhet ruajtur për t'u kthyer. Në vend që kafeja të merret domosdoshmërisht në gotën e lokalit, klienti mund të paraqitet me gotën personale. Dhe në vend të një ambalazhi të zakonshëm për ushqimin me vete, mund të përdoret ena e sjellë nga shtëpia.
Të gjitha këto masa paraqiten nga Ministria e Mjedisit si pjesë e përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian dhe përpjekjes për të reduktuar ndotjen plastike.
Megjithatë, mbetet për t'u parë se si do të organizohen në praktikë pikat e kthimit të ambalazheve, sa do të jetë depozita që do të paguajnë konsumatorët dhe sa i lehtë do të jetë procesi i rimbursimit.
Deri atëherë, qeveria ka gjetur një tjetër mënyrë për ta përfshirë qytetarin në betejën kundër plastikës: jo vetëm të paguajë për produktin, por të kujdeset edhe për ambalazhin pasi e ka konsumuar.























