
Protesta e studentëve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama vijon të shoqërohet me bojkot të procesit mësimor në universitetet publike. Edhe këtë të enjte, studentët e Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë kanë bojkotuar auditorët, ndërsa në mbështetje të tyre janë rreshtuar edhe një pjesë e pedagogëve.
Ndryshe nga një ditë më parë, kur studentët protestuan në bulevardet e Korçës, këtë herë nuk është zhvilluar marshim në rrugët e qytetit. Sipas A2 CNN, gjatë pasdites pritet të mblidhet Këshilli Studentor për të diskutuar dhe vendosur mbi hapat e mëtejshëm të protestës.
Ndërkohë, bojkotit i janë bashkuar edhe pedagogët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në zbatim të vendimit të Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve për të mbështetur protestën studentore.
Sipas një përfaqësuesi të kryesisë së sindikatës, rreth 70-80% e pedagogëve në Shkodër kanë mbështetur vendimin për ndërprerjen e mësimdhënies. Edhe kryetari i degës lokale të sindikatës ka konfirmuar se bojkoti po respektohet nga pjesa më e madhe e stafit akademik.
Sindikalistët kanë bërë të ditur se bojkoti do të vijojë pa afat, deri në përmbushjen e kërkesës kryesore të studentëve, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.






















