
Pas disa orësh protestë përpara godinës së Kuvendit, studentë, pedagogë dhe qytetarë kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke zhvendosur tubimin drejt Kryeministrisë.
Protestuesit janë nisur në drejtim të Rrugës së Elbasanit, ndërsa gjatë marshimit kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike. “Parlamenti jemi ne!”, ka qenë një prej sloganeve të brohoritura në kor nga pjesëmarrësit.
Sipas raportimeve nga terreni, marshimi po zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa studentët dhe pedagogët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.
Protesta e kësaj të enjteje shënon ditën e dhjetë të mobilizimit të studentëve dhe pedagogëve, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj situatës në vend dhe kushteve në universitete.
Zhvendosja e protestës drejt Kryeministrisë vjen pas tubimit disaorësh përpara Parlamentit, ku pjesëmarrësit kanë kërkuar përgjegjësi politike dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.






















