
Studentët kanë refuzuar sërish ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke larguar blloqet e betonit të vendosura përpara Kryeministrisë si simbol i thirrjes së tij për diskutim.
Pas marshimit në rrugët e Tiranës, të rinjtë janë rikthyer përpara selisë së qeverisë, ku kanë hequr mesazhet e vendosura nga kryeministri, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e tij.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, kur Rama kishte vendosur karrige për të ftuar protestuesit në dialog, këtë herë kreu i qeverisë kishte zgjedhur blloqet e betonit për të përcjellë të njëjtin mesazh.
Por edhe kjo përpjekje është refuzuar nga studentët, të cilët kanë bërë të qartë se nuk pranojnë të ulen në tryezë me kryeministrin dhe se kërkesa e tyre mbetet largimi i tij nga pushteti.
Një ditë më parë, protestuesit kishin thyer dhe hedhur drejt hyrjes së Kryeministrisë karriget e vendosura nga Rama, ndërsa këtë të enjte kanë larguar edhe blloqet e betonit, duke vijuar qëndrimin e tyre kundër dialogut të propozuar nga qeveria.






















