
Seanca e sotme parlamentare është zhvilluar mes tensioneve të forta, përplasjeve fizike dhe kaosit në sallën e Kuvendit, ndërsa jashtë godinës vijonte protesta e qytetarëve, studentëve të Mjekësisë dhe pedagogëve. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren, u përplasën me përfaqësues të mazhorancës dhe hodhën kartonë e letra në drejtim të socialistëve, ndërsa shumica parlamentare anuloi diskutimet dhe kaloi drejtpërdrejt në votimin e projektligjeve.
Tensionet nisën që në fillim të seancës, në një kohë kur prej disa ditësh studentët po protestojnë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në mbështetje të tyre, deputetët e Partisë Demokratike kundërshtuan zhvillimin normal të punimeve parlamentare, duke argumentuar se Kuvendi nuk mund të vijojë aktivitetin sikur nuk ka ndodhur asgjë, ndërkohë që vendi, sipas tyre, ndodhet në një krizë të thellë politike dhe shoqërore.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputeti Belind Këlliçi lexoi një deklaratë, përmes së cilës dënoi dhunën e pretenduar të Policisë ndaj studentëve dhe kërcënimet që, sipas tij, kryeministri Edi Rama ka adresuar ndaj protestuesve.
Këlliçi deklaroi se brezi i ri po refuzon keqqeverisjen dhe kërkon largimin e kryeministrit. Në emër të demokratëve, ai kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës, shpërndarjen e Parlamentit dhe krijimin e një qeverie teknike, duke theksuar se nuk mund të ketë normalitet parlamentar përballë situatës së krijuar.
Situata u përshkallëzua më tej kur fjalën e mori kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili mbrojti qëndrimin e efektivëve të Policisë lidhur me protestat e studentëve. Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat Flamur Noka iu afrua, i mori kartën dhe i bllokoi mikrofonin, duke e penguar të vijonte diskutimin.
Ky veprim u pasua nga tensione të tjera në sallë, ku deputetët demokratë nisën të hidhnin letra në drejtim të përfaqësuesve të mazhorancës. Përplasjet nuk mbetën vetëm në nivel verbal, pasi mes deputetëve të dy kampeve politike pati edhe konfrontime fizike.
Në një prej momenteve të tensionuara, deputeti demokrat Fidel Kreka i mori kartën deputetit socialist Bledi Çuçi, duke shkaktuar reagimin e ish-ministrit Ervin Hoxha. Situata u acarua më tej kur Kreka shtyu deputetin socialist.
Një tjetër përplasje ndodhi mes deputetit të PD-së, Flamur Noka, dhe deputetit socialist Agron Malaj. Konflikti mes tyre detyroi ndërhyrjen e punonjësve të Gardës së Republikës, të cilët u përpoqën të shmangnin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Ndërkohë, deputetët e opozitës morën edhe kartonët e votimit të përfaqësuesve socialistë, ndërsa në sallë vijuan debatet dhe përplasjet.
Pas situatës së krijuar, mazhoranca socialiste vendosi të anulonte të gjitha diskutimet e parashikuara dhe të kalonte drejtpërdrejt në votimin e projektligjeve të rendit të ditës.
Ky vendim shkaktoi reagimin e menjëhershëm të opozitës, deputetët e së cilës hodhën kartonë në drejtim të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Në shenjë proteste, demokratët përmbysën edhe karriget, duke e kthyer sallën e Parlamentit në një skenë kaosi.
Mes tensioneve, mazhoranca vijoi me votimin e projektligjeve, ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, pasi miratoi të gjitha projekligjet që ishin në rendin e ditës, njoftoi përfundimin e procedurave të votimit dhe mbylljen e seancës parlamentare.
E gjithë kjo situatë u zhvillua në një kohë kur jashtë Kuvendit vijonte protesta e qytetarëve, studentëve të Mjekësisë dhe pedagogëve, duke e shoqëruar ditën parlamentare me tensione si brenda, ashtu edhe jashtë institucionit.
Megjithatë, vlen të theksohet se pavarësisht tensioneve të krijuara, opozita nuk arriti të pengonte mazhorancën që të mirationte ligjet e parashikuara, dhe i gjithë show i përplasjeve shërbeu sa për lajmet e radhës në media.






















