
Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet këtë të enjte, në orën 10:00, për herë të parë pas nisjes së protestave të dhunshme që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit. Seanca plenare zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë pritet të jenë në qendër të debatit parlamentar.
Një nga pikat kryesore të rendit të ditës është interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike. Në fokus të diskutimeve pritet të jenë menaxhimi i protestave, ndërhyrjet e Policisë së Shtetit dhe incidentet e regjistruara gjatë ditëve të fundit.
Seanca vjen pas anulimit të mbledhjes së javës së kaluar, ndërsa protestat e studentëve dhe qytetarëve kanë vijuar për disa ditë, të shoqëruara me tensione dhe përplasje me policinë.
Përveç interpelancës me ministrin Demo, deputetët do të zhvillojnë edhe dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar gjithashtu interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në rendin e ditës është parashikuar edhe shqyrtimi i disa projektligjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, shërbimet e pagesave, të drejtat e autorit, si dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Një tjetër çështje që pritet të diskutohet është ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Kryeministri Edi Rama nuk pritet të marrë pjesë në seancë, pasi ndodhet në Budva të Malit të Zi për një takim zyrtar.
Mbetet për t’u parë nëse seanca do të zhvillohet paqësisht apo nëse do të shoqërohet sërish me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.






















