
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një paketë të re masash ndaj personave që përfshihen në aktet e dhunës gjatë protestave, por këtë herë ndëshkimet që ai përmendi nuk kufizohen vetëm te protestuesit. Sipas Ramës, pasojat mund t’i vuajnë edhe familjet e të miturve, të cilave ai paralajmëroi se do t’u mohohen shërbimet shtetërore.
Në ditën e nëntë të protestave, kryeministri foli për krijimin e një regjistri të personave të dhunshëm, kufizimin e aksesit të tyre në aeroporte, hotele, trena dhe mjete të tjera transporti, si dhe bashkëpunimin me vendet e Bashkimit Europian për t’u ndaluar hyrjen në territorin e tyre.
“Do të vijë fatura në familje, do të paguajë familja. S’do të marrë shërbim nga shteti familja e një të mituri që vjen dhe djeg pronat e një tjetri”, deklaroi Rama.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu përdorimin e teknologjisë për identifikimin e protestuesve që mbulojnë fytyrën, si dhe të personave që, sipas tij, nxisin dhunën përmes profileve anonime në rrjetet sociale.
“Do t’i zbulojmë ata që janë me kapuç, edhe sikur të rrinë me kapuç, edhe sikur ta mbulojnë të gjithë fytyrën, se do t’i ndjekim këmba-këmbës, përveç syve të teknologjisë”, tha ai.
Rama i akuzoi protestuesit që kanë sulmuar bankat dhe bankomatet se kanë vepruar sipas një “skenari djallëzor” për të nxitur panik, duke pretenduar se ata janë përpjekur të marrin paratë brenda ATM-ve.
Por pjesa më e fortë e deklaratës ishte paralajmërimi për kufizimin e një sërë të drejtash dhe shërbimesh për personat që qeveria do t’i regjistrojë si të dhunshëm.
“Ne do të vendosim në regjistër njerëzit e dhunshëm, do t’u mbyllim shumë aksese nëpër aeroporte, hotele, trena, të gjitha mjetet e transportit. Dhe do të bashkëpunojmë, dhe e kemi nisur punën me vendet e BE-së, për t’u ndaluar aksesin në ato vende si njerëz të dhunshëm”, deklaroi kryeministri.
Rama nuk sqaroi se mbi çfarë baze ligjore do të vendosen këto kufizime, kush do të përcaktojë personat që do të përfshihen në regjistër dhe nëse masat do të kërkojnë më parë një vendim gjyqësor.
Po kështu, mbetet e paqartë se si mund t’u mohohen shërbimet shtetërore familjarëve për veprime të kryera nga një i mitur, kur përgjegjësia penale është individuale.
Në fund të deklaratës, Rama bëri sërish thirrje për dialog, duke sjellë si shembull protestën studentore të vitit 2018.
Ndërsa kryeministri flet për dialog dhe ballafaqim demokratik, paralajmërimi i tij për një regjistër të protestuesve, kufizimin e lëvizjes dhe ndëshkimin e familjarëve hap një debat shumë më të gjerë: deri ku mund të shkojë shteti në emër të luftës kundër dhunës dhe kush do ta kontrollojë përdorimin e këtyre masave?






















