Politika 21 October 2026, 12:11 Nga VNA

Rama përdor guvernatorin e Bankës së Shqipërisë si dekor për t’u treguar shqiptarëve se fajin e ka Antifa. Asnjë fjalë për tatëpjetën e euros

Ndaje në Whatsapp

Rama përdor guvernatorin e Bankës së Shqipërisë si

Në ditën e tetë të protestave, Edi Rama zgjodhi të fliste sërish për komplotet, rrezikun e destabilizimit dhe armiqtë e brendshëm e të jashtëm të Shqipërisë. Këtë herë kishte në krah guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj. Ndërsa poshtë zyrës së tij studentë, nxënës dhe prindër kërkojnë dorëheqjen, kryeministri u përpoq t'i siguronte shqiptarët se ajo që po ndodh nuk ka asnjë lidhje me vitin 1997 dhe skemat piramidale.

Një krahasim që, në fakt, e solli vetë në diskutim.

Rama shprehu solidaritet me bankat e nivelit të dytë dhe u ndal te sulmet me gurë ndaj institucioneve bankare gjatë protestave. Madje, në transmetim të drejtpërdrejtë, i kujtoi edhe guvernatorit se protestuesit kishin goditur me gurë Bankën e Shqipërisë.

Por, meqë kishte pranë guvernatorin dhe ministrin e Financave, përse nuk shfrytëzoi rastin t'i pyeste edhe për euron? Për rënien e vazhdueshme të kursit të saj, pasojat për eksportuesit, familjet që marrin të ardhura nga emigracioni dhe bizneset që faturojnë në monedhën europiane?

Në fund të fundit, në një takim me drejtuesit e sistemit bankar, për ekonominë mund të flitej të paktën po aq sa për gurët e protestuesve.

Në këtë kontekst, kryeministri gjeti hapësirë edhe për disa premtime të reja për të rinjtë, nga mbështetja për qiratë e studentëve deri te lehtësimi i blerjes së apartamenteve për familjet e reja.

Vetëm se pranë tij ishte edhe Delina Ibrahimaj, ministrja e Ekonomisë, emri i së cilës është lidhur me një tjetër histori që meriton përgjigje: shpërndarjen e granteve publike për start-up-et.

Jo më larg se dy muaj më parë, VNA publikoi një investigim mbi përfituesit e fondeve të vitit 2026, duke evidentuar emra dhe projekte të përsëritura, kompani të krijuara pak përpara hapjes së thirrjes dhe pikëpyetje serioze mbi kriteret e përzgjedhjes. Drejtuesi i Startup Albania kundërshtoi listën fillestare të publikuar nga VNA, ndërsa debati për transparencën e procesit vazhdoi edhe pas publikimit të fituesve.

Pra, ndërsa Rama premtonte mbështetje për të rinjtë që protestojnë, në krah kishte ministren që ende duhet të japë përgjigje të plota për mënyrën si janë shpërndarë miliona euro fonde të destinuara pikërisht për sipërmarrjen e re.

Edhe Petrit Malaj, ministri i Financave, kishte çfarë të shpjegonte për barrën e detyrimeve mbi biznesin e vogël dhe politikat fiskale që prekin drejtpërdrejt sipërmarrësit. Por në një takim ku u fol kaq shumë për sigurinë e bankave, pyetjet për ekonominë mbetën në plan të dytë.

Ndoshta dikush duhet t'i thotë Edi Ramës se, përpara se të kërkojë armiq nëpër botë dhe komplote pas çdo proteste, ia vlen të hedhë një sy edhe nga njerëzit që ka ulur pranë vetes. Sepse përgjegjësitë për problemet e ekonomisë, transparencën e fondeve publike dhe politikat ndaj të rinjve nuk mund t'u faturohen protestuesve.

Dhe sa për Antifa-n, që kryeministri e përmend si rrezik për Shqipërinë, kjo është një çështje për institucionet e inteligjencës dhe sigurisë, jo për një takim me drejtuesit e bankave.

Megjithëse edhe këtu Rama ka një problem praktik: Vlora Hyseni, ish-drejtuesja e SHISH-it, ndodhet në arrest shtëpie.

Kështu, në ditën e tetë të protestave, kryeministri gjeti kohë të fliste për vitin 1997, piramidat, bankat, gurët, komplotet dhe Antifa-n. Për gjithçka, përveç përgjegjësive të njerëzve që kishte në krah.

Lexo gjithashtu

Video

Pamjet e auditorit plot, ama, na i kurseu

Edhe pas 36 vitesh, fajin e ka populli dhe “armiqtë e huaj” Kjo video, e publikuar nga politologu Afrim Krasniqi, tregon se në Shqipëri politika i ndërron kostumet, por fjalimet i ruan për çdo rast. Retorika me të cilën pushteti u drejtohej të pakënaqurve në korrikun e vitit 1990 dëgjohet edhe sot ndaj studentëve, protestuesve dhe kritikëve të qeverisë. Pas 36 vitesh, sa kemi mësuar nga historia?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme