
Ndërsa studentët dhe gjimnazistët vijojnë protestat ku kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, qevrisë së tij, por dhe kundër Berishës, kryeministri dhe kryetari i PD vijojnë të publikojnë videomesazhe për protestuesit.
Në një video të regjistruar nga ambientet e Kryeministrisë, Rama ka komentuar refuzimin e dialogut nga pedagogët dhe intelektualët që iu bashkuan protestës. Kryeministri ka përsëritur se mbetet i gatshëm të bisedojë me këdo që dëshiron dialog.
“Dorëheqje! Poshtë diktatura! Poshtë komunizmi! Nuk duam dialog! Këto janë thirrjet e pedagogëve dhe intelektualëve të mbledhur këtu poshtë”, shprehet Rama.
Nga ana tjetër, edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka zgjedhur një videomesazh për t'iu drejtuar qytetarëve, duke u bërë thirrje të mbështesin protestën e studentëve dhe gjimnazistëve.
Berisha ka akuzuar qeverinë për dhunë policore ndaj protestuesve, duke pretenduar se mbi 2 mijë të rinj janë dhunuar, ndaluar ose arrestuar gjatë protestave.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, t'u bashkohen studentëve të mërkurën, në orën 10:00, përpara universitetit.
Videomesazhet e Ramës dhe Berishës vijnë në një kohë kur studentët dhe gjimnazistët vijojnë të mbajnë distancë nga të dyja palët politike, duke këmbëngulur që protesta e tyre është kundër sistemit politik 35 vjeçar që i ka lënë pa shpresë për të ardhmen.






















