Protestat e të rinjve në Tiranë kanë tërhequr vëmendjen edhe të politikës gjermane. Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin e tij për situatën dhe duke theksuar kërkesat e qytetarëve për t’i dhënë fund korrupsionit dhe lidhjeve mes krimit të organizuar dhe politikës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ligjvënësi gjerman shprehet se i ka ndjekur me shqetësim protestat në kryeqytetin shqiptar, ndërsa vlerëson se kërkesat e qytetarëve janë në përputhje me vlerat europiane që Shqipëria ka marrë përsipër të respektojë.
“I kam ndjekur me shqetësim të thellë protestat në Tiranë. Qytetarët kërkojnë t’i jepet fund korrupsionit, mbrojtjes politike dhe lidhjeve mes krimit të organizuar dhe politikës. Këto kërkesa pasqyrojnë vlerat evropiane që Shqipëria është angazhuar të respektojë”, shkruan Abraham.
Reagimi i deputetit gjerman vjen në një kohë kur protestat kundër qeverisë së Edi Ramës janë intensifikuar, ndërsa gjatë ditëve të fundit janë regjistruar përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, ndërsa pakënaqësitë e tyre lidhen me korrupsionin, kushtet e arsimit dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen.
Deklarata e Abraham sjell në vëmendje edhe një tjetër dimension të protestave, atë të standardeve europiane, në një kohë kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.






















