Në një kohë kur studentët dhe të rinjtë kanë dalë në protesta duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, kryeministri ka mbledhur Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Por ndërsa jashtë institucioneve kërkohet përgjegjësi politike, brenda mazhorancës zgjidhja duket se po kërkohet te një porosi e vjetër, deputetët të dalin në terren dhe të takojnë qytetarët.
Rama u ka kërkuar ligjvënësve socialistë të mbajnë kontakte të vazhdueshme me njerëzit dhe të dëgjojnë pakënaqësitë e tyre. Kryeministri është shqetësuar edhe për perceptimin se deputetët janë fshehur për shkak të protestave. Me sa duket, pas gjithë këtyre viteve në pushtet, mazhoranca po rizbulon rëndësinë e komunikimit me qytetarët, pikërisht kur këta të fundit i refuzojnë si mazhorancë.
Sepse problemi për mazhorancën nuk duket të jetë thjesht se deputetët nuk po dalin mjaftueshëm në terren. Pyetja është se deri kur qeveria do mbyll veshët dhe sytë përballë të rinjve dhe qytetarëve që më shumë se kurrë ndihen të papërfaqësuar nga qeveria.






















