Dita e shtatë e protestës së studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë u mbyll me përplasje të forta, gaz lotsjellës, plumba gome, shoqërime dhe pamje të dhunës së ushtruar nga policia ndaj të rinjve. Protesta, e nisur pranë Ministrisë së Arsimit, u zhvendos gjatë ditës në disa zona të kryeqytetit, ndërsa mbrëmja u karakterizua nga ndjekja dhe shoqërimi i protestuesve në rrugët e Tiranës.
Tensionet u përshkallëzuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku policia ndërhyri disa herë për shpërndarjen e protestuesve. Pas disa orësh qetësie gjatë pasdites, të rinjtë u rikthyen në bulevard, ndërsa përplasjet u zhvendosën drejt korpusit të ministrive. Protestuesit qëlluan me gurë dhe molotovë në drejtim të forcave të rendit, të cilat u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe mjete zhurmuese.
Gjatë ndërhyrjeve të policisë u përdorën edhe plumba gome. Gazetari i A2 CNN, Armand Brajmi, u godit në shpatull teksa raportonte nga protesta. Ai deklaroi se goditja ishte tangenciale dhe se ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërsa grumbullimet e mëdha u shpërndanë, ndërhyrjet policore vijuan në zona të tjera të kryeqytetit. Në sheshin “Skënderbej” u shoqëruan dy të rinj protestues, ndërsa pranë Parlamentit Rinor pati përplasje edhe me disa të rinj që po qëndronin në anë të rrugës.
Pamje të rënda u publikuan edhe nga zona e Medresesë. Në një prej videove që qarkullojnë, disa efektivë të forcave Shqiponja shihen duke ndjekur një të ri, të cilin e tërheqin zvarrë dhe e godasin vazhdimisht. Në një tjetër video, efektivët godasin dhe rrëzojnë në tokë një të ri tjetër, përpara se të largohen pa e arrestuar.
Arrestimet dhe shoqërimet u raportuan edhe pranë Katedrales Ortodokse në qendër të Tiranës. VNA ka siguruar pamje të ndërhyrjes së policisë, ku shihet edhe dhunimi i një të mituri. Episodi riktheu shqetësimin për ndërhyrjet policore pranë objekteve të kultit, pas ngjarjes së disa netëve më parë në xhaminë e Et’hem Beut, ku besimtarët penguan hyrjen e efektivëve.
Të gjitha këto ndodhën ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kishte deklaruar se efektivët nuk kanë marrë urdhër për të dhunuar protestuesit. Megjithatë, pamjet e publikuara gjatë mbrëmjes tregojnë ndërhyrje të dhunshme që kërkojnë verifikim dhe hetim të përgjegjësive individuale.
Në fund të ditës së shtatë, Tirana nuk kishte më një pikë të vetme proteste. Përplasjet ishin shpërndarë nga institucionet qendrore në rrugët dhe lagjet përreth, ndërsa policia vijonte operacionet e shoqërimit.
Protesta e nisur nga studentët dhe gjimnazistët, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ka hyrë kështu në javën e dytë. Bilanci përfundimtar i të arrestuarve, të shoqëruarve dhe të lënduarve mbetet ende për t'u saktësuar.






















