Parlamenti Evropian ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj ngjarjeve të fundit në Shqipëri, veçanërisht përshkallëzimit të protestave në Tiranë. Në një deklaratë të përbashkët, kryetari i Delegacionit për marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, kanë dënuar dhunën, por nga ana tjetër kanë tërhequr vëmendjen edhe ndaj përdorimit të tepruar të forcës nga policia.
Teksa dënuan sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës, eurodeputetët u bënë thirrje protestuesve që të tregojnë vetëpërmbajtje:
"Ne dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të shmangen nga çdo akt dhune, pasi ato nuk kontribuojnë në zgjidhje dhe nuk kanë vend në demokraci."
Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të PE-së ngritën shqetësim serioz lidhur me veprimet e strukturave të rendit dhe raportimet për dhunë policore, duke kërkuar llogaridhënie nga organet kompetente:
"Gjithashtu shprehim shqetësim të serioz për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia kundër protestuesve. U bëjmë thirrje autoriteteve të tregojnë vetëpërmbajtje. Më tej, u bëjmë thirrje trupave përkatëse të bëjnë çmos për të vendosur përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë përdorimin e tepruar të forcës."
Duke vënë në dukje se e drejta e tubimit dhe e shprehjes gëzon mbrojtje kushtetuese dhe ndërkombëtare, veçanërisht për të rinjtë që ngrihen për të ardhmen e tyre, deklarata thekson nevojën e mbrojtjes së protestave paqësore:
"Protestuesit – në këtë rast, të rinjtë – kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre, veçanërisht për çështje që prekin drejtpërdrejt të ardhmen e tyre. Mbrojtja e lirisë së tubimit dhe e shprehjes gëzon mbrojtje si në Kartën e BE-së për të Drejtat Fundamentale, ashtu edhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne prandaj i nxisim autoritetet të mbrojnë ushtrimin e lirisë së tubimit, përfshirë edhe protestën paqësore."
Në mbyllje të mesazhit të tyre, Tarquinio dhe Schieder kthyen fokusin te procesi i integrimit evropian të vendit, duke kërkuar një qasje konstruktive nga të gjithë aktorët:
"Bëjmë thirrje për një dialog paqësor, konstruktiv dhe serioz mes të gjitha palëve me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje domethënëse për shqetësimet e ngritura nga protestuesit, në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet evropiane. Respektimi i shtetit të së drejtës mbetet standardi kryesor dhe kusht i domosdoshëm për avancimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian."






















