Politika 18 October 2026, 22:50 Nga VNA

Berisha dhe Këlliçi, deklarata kontradiktore për gazin lotsjellës në PD: Minutat e kaosit në selinë blu

Ndaje në Whatsapp
Berisha dhe Këlliçi, deklarata kontradiktore për gazin

Gazi lotsjellës i hedhur në oborrin e selisë së Partisë Demokratike prodhoi mbrëmjen e së dielës jo vetëm një tjetër përplasje mes opozitës dhe policisë, por edhe deklarata që nuk përputhen plotësisht nga vetë drejtuesit demokratë.

I pari që doli para kamerave ishte Belind Këlliçi, i cili mohoi kategorikisht se në seli ishin strehuar protestues të ndjekur nga policia. Sipas tij, aty ndodheshin vetëm demokratë që po punonin dhe nuk kishte pasur asnjë incident. Ai akuzoi ministrin e Brendshëm Ervin Demo për provokim, ndërsa pretendoi se PD ishte paralajmëruar tri orë më parë për një sulm ndaj selisë.

Por deklarata e Këlliçit nuk e mbylli çështjen. Në seli mbërriti më pas Sali Berisha, i cili, ndryshe nga deputeti i tij, nuk e përjashtoi mundësinë që aty të ishin strehuar të mitur të ndjekur nga policia. Madje, megjithëse pranoi se nuk ishte informuar për këtë, përgëzoi demokratët që mund t’i kishin marrë në mbrojtje.

Më pas erdhi edhe reagimi i Policisë së Shtetit. Sipas saj, persona të maskuar që kishin sulmuar efektivët me molotovë ishin futur në ambientet e jashtme të selisë së PD-së dhe kishin vijuar sulmet prej andej, duke sjellë përdorimin e gazit lotsjellës.

Mes mohimit kategorik të Këlliçit, deklaratës së Berishës për mbrojtjen e të miturve dhe versionit të policisë për sulmet me molotovë, mbetet e paqartë çfarë ndodhi realisht në oborrin e selisë së Partisë Demokratike.

Video

Policia ka nisur ndalimet e të rinjve protestues. Video e realizuar prane Piramidës.

Protestuesit godasin me molotov Bashkinë e Tiranës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme