Në situatën ku ndodhet Tirana dhe disa qytete kryesore të Shqipërisë, me protesta, përplasje, gaz lotsjellës, plumba gome dhe të plagosur, askush nuk di të thotë nëse nesër do të ketë mësim normalisht në shkolla.
Po Ministria e Arsimit ku është? Mirela Kumbaro, që këto ditë e kishte aq për merak sigurinë e fëmijëve shqiptarë dhe u bënte thirrje prindërve t’i mbanin larg protestave, nuk e ka vrarë mendjen se sot familjet janë në mëdyshje nëse duhet t’i çojnë nesër fëmijët në shkollë.
A janë të sigurta shkollat? A janë të sigurta rrugët që fëmijët duhet të përshkojnë për të shkuar në mësim? A ka një plan për institucionet arsimore në zonat ku prej gjashtë ditësh ka përplasje?
Prindërit nuk kanë nevojë për leksione morale nga ministrja. Kanë nevojë për një përgjigje fare të thjeshtë: Nesër, më 19 tetor, fëmijët do të shkojnë në shkollë apo jo?
Mirela Kumbaro, kërkohet ministrja e Arsimit. Jo për të bërë deklarata politike, por për të bërë punën për të cilën paguhet.






















