Edi Rama doli përpara shqiptarëve me një gur në dorë dhe një arsenal të tërë justifikimesh. Guri ishte prova e dhunës së kundërshtarëve, ndërsa fjalimi një përpjekje për ta kthyer krizën politike dhe pakënaqësinë qytetare në një histori armiqsh, komplotesh dhe rreziqesh që kërcënojnë Shqipërinë. Për gjithçka kishte një fajtor, përveç vetes. Për gjithçka kishte një shpjegim, përveç asaj që shqiptarët prisnin të dëgjonin: çfarë përgjegjësie mban ai dhe çfarë do të bëjë për situatën ku ndodhet vendi.
Me gurin në dorë, Rama u përpoq të na bindte se problemi i Shqipërisë janë ata që duan ta rrëzojnë, jo arsyet përse gjithnjë e më shumë njerëz janë të pakënaqur me qeverisjen e tij. Dhe për ta mbështetur këtë rrëfim, nxori nga repertori i zakonshëm Berishën, 21 Janarin, vitin 1998, piramidat, duart e huaja, ekstremistët dhe Europën e vitit 2030. Një fjalim që udhëtoi në çdo kohë, përveç së tashmes.
Kësaj radhe kishte edhe një dron me eksploziv, që sipas Ramës ishte neutralizuar dy ditë më parë, përpara se të godiste Kryeministrinë. Një ngjarje kaq e rëndë u përmend thuajse kalimthi, pa shpjeguar kush qëndronte pas saj, çfarë kishte zbuluar policia dhe nëse kishte nisur një hetim penal. Ndërsa studentët dhe të rinjtë, që kryeministri pranoi se janë të zemëruar dhe kërkojnë ndryshim, përfunduan sërish në kategorinë e pengjeve të një grupi të maskuar, të ekstremistëve dhe të dorës së huaj.
E vetmja gjë pozitive që Rama kishte për t’u treguar shqiptarëve ishte SPAK-u. I njëjti SPAK që kryeministri dhe shumica e tij e kanë sulmuar kur hetimet kanë prekur njerëzit e pushtetit. I njëjti SPAK, kërkesën e të cilit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut Rama nuk pranoi ta mbështeste.
Rama pranoi se ka korrupsion, sikur shqiptarët të kishin nevojë për konfirmimin e tij pas gjithë këtyre viteve qeverisjeje. Por për përgjegjësinë e vet dhe të njerëzve që ka zgjedhur nuk tha asgjë. Në vend të kësaj, u rikthye te arritjet, reformat, Europa e vitit 2030 dhe një Shqipëri që ekziston kryesisht në fjalimet e tij. Madje, në këtë realitet paralel, prania besnike e kryeministrit, durimi i tij për të dëgjuar qytetarët dhe botimet dygjuhëshe duket se duhet të mjaftojnë për të shuar mllefin dhe pakënaqësinë.
Rama foli gjatë për policët dhe sakrificën e tyre, ndërsa protestuesit që hedhin gurë i quajti kriminelë, por edhe fëmijë shqiptarë që duhen mbrojtur. Riktheu 21 Janarin dhe paralajmëroi se dikush kërkon gjak. Por nuk shpjegoi çfarë do të ndodhë sot në Tiranë. Çfarë masash konkrete ka marrë policia për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve? A po heton prokuroria për dhunën e ushtruar nga të dyja palët? Çfarë po bëhet për të parandaluar një tjetër përshkallëzim? Dhe mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi për situatën ku ndodhet vendi?
Në fund, mes gjithë atyre fjalëve, një gjë mbeti e qartë: Edi Rama nuk ka ndërmend të largohet. Këtë mund ta kishte thënë edhe pa gurin në dorë, pa historinë e vitit 1998, pa dronin me eksploziv dhe pa na treguar për të disatën herë armiqtë që kërkojnë të pengojnë Shqipërinë.
Por kishte një pyetje së cilës nuk iu përgjigj: Çfarë ka ndërmend të bëjë ai vetë?
Sepse sot shqiptarët nuk kishin nevojë për një tjetër fjalim mbi të shkuarën, as për një leksion mbi arritjet e qeverisë. Kishin nevojë të dinin çfarë do të ndodhë në orët në vijim dhe si do të garantohet siguria e tyre.
Tirana zgjohet në ankth, Rama me gur në dorë shpall armiq në vend që të japë përgjigje
Në vend të përgjigjeve, morën një gur, një listë armiqsh dhe sigurinë se fajin, si gjithmonë, e kanë të tjerët.






















