Dy kongresmenë republikanë amerikanë, Joe Wilson dhe Robert Aderholt, kanë reaguar mbrëmjen e së shtunës, më 17 tetor, për situatën në Shqipëri, pas pesë ditësh protestash të shoqëruara me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Në reagimet e publikuara në llogaritë e tyre në platformën X, të dy kongresmenët shprehin shqetësim për përshkallëzimin e situatës në Shqipëri, të cilën e cilësojnë aleate të NATO-s, ndërsa i kërkojnë qeverisë të respektojë të drejtat e protestuesve dhe theksojnë se të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit.
Joe Wilson, kongresmen republikan nga Karolina e Jugut dhe kryetar i Komisionit të Helsinkit në SHBA, ka qenë i pari që ka reaguar, në orën 20:07.
“Po ndjek me shqetësim të madh krizën që po përshkallëzohet në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo dhunë ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre”, shkruan Wilson në platformën X.
Rreth një orë e njëzet minuta më vonë, në orën 21:26, ka reaguar edhe Robert Aderholt, kongresmen republikan nga Alabama, i cili ka shprehur shqetësimin për trazirat në Shqipëri dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të refuzojnë dhunën.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga trazirat që po përshkallëzohen në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione që japin llogari dhe lirinë për ta bërë zërin e tij të dëgjohet. Të gjitha palët duhet ta refuzojnë dhunën dhe qeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë një zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”, shkruan Aderholt.
Reagimet e dy ligjvënësve amerikanë vijnë në përfundim të ditës së pestë të protestave në Tiranë, gjatë së cilës janë regjistruar përplasje të ashpra mes protestuesve dhe policisë, përdorim i gazit lotsjellës, ujit me presion, molotovëve dhe djegie automjetesh, ndërsa janë raportuar të lënduar nga të dyja palët.
Në deklaratat e tyre, dy kongresmenët vendosin theksin te sundimi i ligjit, përgjegjshmëria e institucioneve dhe e drejta e qytetarëve për të protestuar. Wilson i drejtohet shprehimisht qeverisë shqiptare, duke i kërkuar të përmbahet nga çdo dhunë ndaj protestuesve, ndërsa Aderholt kërkon refuzimin e dhunës nga të gjitha palët dhe respektimin e të drejtave të protestuesve paqësorë.
Të dy reagimet janë publikuar në llogaritë e verifikuara të kongresmenëve në platformën X, ndërsa situata politike dhe e sigurisë në Shqipëri vijon të mbetet e tensionuar.






















