Politika 7 October 2026, 15:26 Nga VNA

Shqipëria shfuqizon në heshtje marrëveshjen me SHBA për Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Ndaje në Whatsapp

Shqipëria shfuqizon në heshtje marrëveshjen me SHBA për

Një marrëveshje e kërkuar nga amerikanët, e firmosur në Tiranë nga Colin Powell dhe Fatos Nano dhe e kundërshtuar që në fillim nga Bashkimi Europian, po shfuqizohet 23 vjet më vonë nga qeveria shqiptare, pa zhurmë dhe pa ndonjë shpjegim publik për një vendim që prek drejtpërdrejt një çështje delikate në marrëdhëniet mes Shqipërisë, SHBA-së dhe BE-së.

Bëhet fjalë për marrëveshjen dypalëshe Shqipëri–SHBA të vitit 2003 për Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Me ligjin nr. 97/2026, Shqipëria ka vendosur t’i japë fund asaj, duke hequr kështu garancinë që i kishte dhënë Uashingtonit se personat amerikanë të mbuluar nga marrëveshja, përfshirë personelin ushtarak, nuk do të dorëzoheshin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare pa pëlqimin e Shteteve të Bashkuara.

Historia nis në vitin 2003. Shqipëria sapo kishte ratifikuar Statutin e Romës, ndërsa administrata e George W. Bush kishte një problem serioz me Gjykatën e re Penale Ndërkombëtare. SHBA nuk pranonte që shtetasit dhe ushtarakët e saj të rrezikonin të përfundonin përpara një gjykate ndërkombëtare, juridiksionin e së cilës Uashingtoni nuk e kishte pranuar.

Për këtë arsye, amerikanët nisën të kërkonin nëpër botë marrëveshje dypalëshe të bazuara në nenin 98 të Statutit të Romës, me të cilat shtetet zotoheshin të mos dorëzonin personat amerikanë në ICC pa miratimin e SHBA-së. Vetë Departamenti i Shtetit e shpjegonte në atë kohë se synimi ishte lidhja e marrëveshjeve të tilla me sa më shumë vende.

Në Tiranë mbërriti vetë Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell. Më 2 maj 2003, Powell dhe kryeministri Fatos Nano firmosën marrëveshjen. Ajo hyri në fuqi më 7 korrik të atij viti.

Shqipëria i jepte kështu Uashingtonit atë që kërkonte: nëse një person amerikan i mbuluar nga marrëveshja ndodhej në Shqipëri, Tirana nuk do ta dorëzonte në Gjykatën Penale Ndërkombëtare pa pëlqimin amerikan. Dokumentet zyrtare amerikane e regjistrojnë Shqipërinë ndër vendet që lidhën pikërisht këtë lloj marrëveshjeje me SHBA-në.

Por marrëveshja shqiptaro-amerikane u bë që në atë kohë pjesë e një përplasjeje më të madhe mes Uashingtonit dhe Bashkimit Europian për Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Europianët mbronin integritetin e Statutit të Romës dhe kundërshtonin marrëveshjet që krijonin përjashtime të përgjithshme për amerikanët.

Komisioni Europian shkruante që në vitin 2004 se marrëveshja e ratifikuar nga Shqipëria “regretfully runs contrary” me parimet udhëzuese të BE-së për marrëveshjet e nenit 98. Edhe Departamenti amerikan i Shtetit e ka pranuar më vonë se Shqipëria e nënshkroi marrëveshjen “in spite of strong EU objections”.

Kjo përplasje nuk mbeti histori e vitit 2003. Përkundrazi, BE ia ka përsëritur Shqipërisë për vite me radhë se marrëveshja me amerikanët duhej të hiqej. Në raportet e progresit, Komisioni Europian ka shkruar vazhdimisht se Shqipëria vazhdonte të mbante në fuqi marrëveshjen dypalëshe të imunitetit me SHBA-në, se kjo nuk përputhej me qëndrimin e përbashkët europian për integritetin e Statutit të Romës dhe se Shqipëria duhej të përafrohej me pozicionin e BE-së.

Kjo kërkesë gjendet në raportet e viteve 2014, 2016, 2020, 2021, 2022 dhe vazhdonte të ishte aty edhe në raportin e vitit 2024.

Kjo e bën shumë më të lexueshme atë që po ndodh sot. Në një moment kur negociatat e Shqipërisë me BE-në kanë hyrë në fazën kur kërkohet përafrimi i legjislacionit dhe politikës së jashtme me standardet europiane, qeveria Rama po heq një marrëveshje për të cilën Brukseli i ka thënë prej vitesh Tiranës se nuk është në përputhje me pozicionin e BE-së.

Nëse ky ka qenë shkaku konkret i vendimit të vitit 2026, duhet ta thotë relacioni i qeverisë. Por kërkesa e BE-së nuk është hamendësim: është e shkruar e zeza mbi të bardhë në raportet zyrtare të Komisionit Europian. Ajo që mbetet për t’u sqaruar është nëse shfuqizimi i sotëm është bërë pikërisht si kusht i procesit aktual të negociatave dhe çfarë konsultimesh janë zhvilluar me palën amerikane.

Sepse efekti juridik nuk është i vogël. Pas përfundimit të marrëveshjes, Shqipëria nuk do të ketë më detyrimin dypalësh të vitit 2003 për të marrë pëlqimin e SHBA-së përpara dorëzimit në ICC të një personi amerikan të mbuluar prej saj.

Kjo nuk do të thotë se çdo ushtarak amerikan mund të merret në Rinas dhe të dërgohet automatikisht në Hagë: duhet të ekzistojë juridiksioni i ICC-së, një kërkesë e vlefshme e Gjykatës dhe të ndiqen procedurat ligjore. Por mburoja e posaçme që Shqipëria u kishte dhënë amerikanëve në vitin 2003 hiqet.

Dhe koha kur ndodh kjo e bën vendimin edhe më të ndjeshëm. Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe çështja e përgjegjësisë për krimet e luftës janë sot pjesë e konflikteve dhe përplasjeve ndërkombëtare në zhvillim. Pikërisht për këtë arsye ka rëndësi të dihet jo vetëm çfarë ka vendosur qeveria shqiptare, por edhe pse e ka bërë tani.

Ligji nr. 97/2026 është miratuar më 16 shtator dhe vetë teksti përcakton se hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Presidenti i Republikës e ka dekretuar ligjin me dekretin nr. 505, datë 22.09.2026. Ky dekret i Presidentit është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 214 të shtatorit 2026.

Nga ana tjetër, deri tani nuk kemi arritur të identifikojmë në kërkimin publik të QBZ-së Fletoren Zyrtare ku është botuar vetë ligji. Kjo duket paksa e çuditshme, sepse një akt i mëvonshëm – dekreti i shpalljes së ligjit – është botuar, kurse akti i mëparshëm në kohë – ligji që shpallet me dekretin – nuk është botuar ende.

Nëse nuk është ndonjë lajthitje e administratës së Qendrës së Botimeve Zyrtare, vetë përmbajtja e ligjit të miratuar e bën të domosdoshme të sqarohet data e botimit, data kur është njoftuar SHBA dhe momenti kur marrëveshja pushon juridikisht së prodhuari efekt.

Në vitin 2003, Colin Powell erdhi vetë në Tiranë për marrëveshjen që amerikanët kërkonin. Shqipëria, në atë kohë me sytë nga NATO, ua dha. Bashkimi Europian e kundërshtoi dhe për më shumë se dy dekada i kërkoi Tiranës të përafrohej me qëndrimin europian.

Njëzet e tre vjet më vonë, qeveria Rama ka zgjedhur anën e kërkuar prej kohësh nga Brukseli dhe po shfuqizon marrëveshjen me amerikanët. Por këtë herë, një vendim që prek një marrëveshje të firmosur në nivelin më të lartë me SHBA-në është marrë pa zhurmën, debatin dhe shpjegimin publik që do të kërkonte pesha e tij.

Lexo gjithashtu

Video

Ish-drejtuesit e KESH dhe ARRSH, Erlad Elezi dhe Gentian Gjyli, janë paraqitur në SPAK për t'u marrë në pyetje nga BKH-ja. Marrja e tyre në pyetje u zhvillua në kuadër të hetimeve për dosjen ku përfshihet edhe ish-ministrja Belinda Balluku. Elezi akuzohet për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë, ndaj të cilit vlen masa "detyrim paraqitjeje". Nga ana tjetër, edhe ish-drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli, përballet me akuza për shkelje të barazisë në tenderë. Të dy ish-zyrtarët po hetohen nga Prokuroria e Posaçme për procedurat e prokurimit publik.

Qytetarët që kanë ndërtuar pa leje dhe janë evidentuar nga pushteti vendor rrezikojnë konfiskimin e pronës nëse nuk e vetëdeklarojnë brenda afatit të përcaktuar. Projektligji solli debate në Komisionin Parlamentar për Mjetet e Informimit Publik, ku kryetarja Jorida Tabaku kërkoi shpjegime se si do të administrohen pronat e konfiskuara dhe të ardhurat që do të sigurohen prej tyre.

Teksa nesër pritet të votohet në Kuvend reforma e re territoriale, PS rrezikon të mos i ketë të sigurta të gjitha votat e saj. Deputeti socialist Erion Braçe nuk tërhiqet nga qëndrimi kundër draftit dhe e bën të qartë se vota e tij nuk është objekt negociatash. Qëndrimi i Braçes shton pikëpyetjet mbi votat që socialistët do të kenë në dispozicion për miratimin e reformës.

“Armët” e PD-së për të luftuar pushtetin e Edi Ramës, çfarë po përgatitet në oborrin e selisë blu?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme