
Një ditë para votimit në Kuvend të reformës së re territoriale, deputeti socialist Erion Braçe nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij kundër draftit, duke e bërë të qartë se vota e tij do të jetë kundër.
Qëndrimi i Braçes shton pikëpyetjet mbi votat që mazhoranca do të ketë në dispozicion për miratimin e reformës, ndërsa deputeti socialist shkon më tej në kritikat e tij, duke vënë në diskutim edhe atë që u realizua me reformën territoriale të vitit 2014.
Në reagimin e fundit, Braçe thotë se nuk dëshiron të shohë përsëri “filmin e vitit 2014”, të cilin e lidh me vizatimin e një harte dhe me një premtim të pambajtur për decentralizim dhe autonomi financiare vendore.
“Filmin e vitit 2014, vizatimin e një harte dhe premtimin e pambajtur për decentralizim masiv dhe autonomi vendore, financiare si përmbajtje, refuzoj ta shoh përsëri”, shkruan ai.
Me këtë deklarata, Braçe gjithashtu bëhet i pari përfaqësues i mazhorancës që e pranon publikisht se reforma e vitit 2014 është një dështim. Sipas tij, një prej objektivave kryesorë të shpallur atëherë, decentralizimi dhe forcimi i autonomisë vendore, nuk është realizuar.
Braçe kundërshton ndërkohë edhe pretendimet se qëndrimi i tij mund të ndryshojë përmes negociatave politike.
“Fyerje e madhe, sepse në 30 vite duhet të kishin mësuar që unë as bëj pazar dhe as jam në pazar”, shkruan deputeti socialist.
Ai kërkon një reformë më të gjerë, e cila të mos kufizohet te bashkimi i bashkive apo ndryshimi i kufijve territorialë, por të shoqërohet me transferimin e kompetencave, funksioneve, buxheteve, tatimeve dhe taksave nga qeveria qendrore drejt pushtetit vendor.
Sipas Braçes, qëllimi duhet të jetë mirëqeverisja dhe rritja e rolit të pushtetit vendor deri te njësitë më të vogla që ofrojnë shërbime për qytetarët.
Drafti i ri parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 njësive vendore, ndërsa për miratimin e reformës në Kuvend kërkohen 84 vota.






















