
Tre vjet pas masakrës së 7 tetorit, Edi Rama ka zgjedhur të kujtojë viktimat izraelite të sulmit terrorist të Hamasit dhe të paralajmërojë se “kujtesa nuk duhet t’i dorëzohet indiferencës”. Një mesazh i gjatë, emocional, ku kryeministri shqiptar flet për rreth 1,200 njerëzit e vrarë atë ditë, 251 pengjet, plagët e të mbijetuarve, antisemitizmin, Holokaustin dhe Besën shqiptare.
Por në qindra fjalët e Ramës mungojnë vetëm disa: Gaza dhe palestinezët e vrarë.
Në tre vitet që pasuan 7 tetorin, ofensiva izraelite në Gaza ka lënë pas mbi 74 mijë palestinezë të vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, shifër që raportohet sot edhe nga Reuters. Edhe pas armëpushimit të tetorit 2025, të paktën 1,400 palestinezë të tjerë janë vrarë, ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë vazhdon të jetojë mes zhvendosjes, shkatërrimit dhe një rindërtimi që praktikisht nuk ka nisur.
Asnjë prej tyre nuk gjen vend në mesazhin e kryeministrit shqiptar.
Rama shkruan se “dhembja nuk duhet të braktiset kurrë në vetmi”. Por nuk thotë asgjë për dhimbjen e familjeve palestineze. Shkruan se kujtesa nuk duhet t’i dorëzohet indiferencës, por në të njëjtën ditë zgjedh të mos kujtojë mbi 74 mijë të vdekurit e Gazës.
Dënimi i masakrës së Hamasit është i padiskutueshëm. Po aq i padiskutueshëm duhet të jetë edhe parimi se jeta e një civili nuk merr vlerë nga pasaporta, feja apo krahu i kufirit ku ka lindur.
Tre vjet pas 7 tetorit, problemi me mesazhin e Edi Ramës nuk është ajo që thotë për viktimat izraelite. Është ajo që zgjedh të mos thotë për viktimat palestineze.
Sepse kur kujton 1,200 të vrarë dhe hesht për mbi 74 mijë të tjerë, indiferenca që denoncon rrezikon të jetë pikërisht ajo që demonstron.






















