
Dy histori të ndryshme, në dy vende të ndryshme dhe pa asnjë lidhje të provuar mes tyre, por me një pikë të përbashkët të fortë: sekretet e një shërbimi inteligjence dhe dyshimi se ato kanë dalë jashtë duarve të njerëzve që ligjërisht duhet t’i posedonin.
Gjermania u zgjua këtë të martë me një prej skandaleve më të rënda të viteve të fundit për shërbimin e saj të inteligjencës së jashtme. August Hanning, ish-president i BND-së, është arrestuar nën dyshimet për veprimtari agjenturore, nxjerrje të sekreteve shtetërore dhe vepra që lidhen me tradhtinë. Bashkë me të është arrestuar edhe Manfred D., një ish-zyrtar i lartë i BND-së.
Hetuesit dyshojnë se Manfred D. i ka kaluar Hanningut, kundrejt pagesës, rreth 2 mijë dokumente të klasifikuara. Mes tyre ndodheshin materiale mbi programin bërthamor të Iranit, ushtrinë ruse, informacione të shërbimeve partnere dhe dokumente të përdorura në takimet ku drejtuesit e institucioneve gjermane të sigurisë informonin Kancelarinë.
Dyshimi shkon më tej: Hanning, pasi ishte larguar prej vitesh nga BND-ja dhe punonte si konsulent privat, dyshohet se ka përdorur të paktën një pjesë të informacionit sekret për të hartuar një analizë për një përfaqësues të një shërbimi të huaj inteligjence. Autoritetet gjermane nuk kanë bërë publik se për cilin shtet bëhet fjalë; sipas raportimeve gjermane, nuk bëhet fjalë për Rusinë.
Dhe pikërisht këtu historia gjermane sjell në vëmendje atë që po ndodh në Shqipëri me SHISH-in.
Vetëm dy javë më parë, ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, u vendos nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe u pezullua nga ushtrimi i detyrës, në kuadër të një hetimi të SPAK. Ajo është nën hetim për veprat penale të “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “përkrahjes së autorit të krimit”.
Sipas të dhënave të bëra publike për dosjen, në makinën e biznesmenit Ergys Agasi janë gjetur nëntë faqe dokumente sekrete të SHISH-it, të cilat dyshohet se i janë vënë në dispozicion nga Hyseni.
Pra, akuzat dhe përmasat e dy rasteve janë të ndryshme, por pyetja institucionale është e njëjtë: kush e kontrollon sekretin e shtetit dhe çfarë ndodh kur informacioni i prodhuar nga një shërbim inteligjence del jashtë institucionit?
Në Gjermani, dyshimi se rreth 2 mijë dokumente të BND-së kanë përfunduar në duart e një ish-drejtuesi të shërbimit ka vënë në lëvizje Prokurorinë Federale dhe BKA-në. Në Shqipëri, SPAK po heton se si dokumente sekrete të SHISH-it dyshohet se përfunduan te një biznesmen privat.
Ka edhe një element tjetër që i bën veçanërisht të ndjeshme këto çështje. Shërbimet sekrete nuk administrojnë vetëm informacionin e shtetit të tyre. Ato shkëmbejnë të dhëna me shërbime partnere. Në dosjen gjermane, mes materialeve të dyshuara si të nxjerra nga BND-ja kishte edhe informacione të ardhura nga shërbime të huaja. Mediat gjermane nënvizojnë se një rrjedhje e tillë mund të cenojë besimin e partnerëve dhe, si pasojë, gatishmërinë e tyre për të ndarë informacion në të ardhmen.
Kjo është arsyeja pse një dokument sekret që del nga një shërbim inteligjence nuk është thjesht një letër që ka përfunduar në vendin e gabuar.
Është një problem sigurie dhe besimi.
Dhe në Tiranë, pas rastit Hyseni, pyetja nuk është vetëm kush i mori dokumentet e SHISH-it, por edhe çfarë informacioni përmbanin, kush tjetër mund t’i ketë parë dhe deri ku ka shkuar rrjedhja e sekretit shtetëror.






















